KULTURË

Afrim Canolli ofron libra online për të lexuar gjatë izolimit

Arsim Canolli, profesor në Departamentin e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, ka njoftuar se katër libra të tij, ofrohen falas në versionin PDF për lexim gjatë kohës së mbylljes në shtëpi.

Librat e antropologut Canolli të cilët mund t’i lexoni falas janë këto:

Kultura K, 2009

Libri jep një panoramë të teorive mbi kulturën, përkatësisht artin, dhe përmes një metafore, argumenton se kultura e lartë (Kultura me K të Madhe të Shkrimit) dallon edhe si prodhim edhe si konsum nga kultura e ultë (kultura me k të vogël të shtypit). Libri sjell në pah koncepte, debate e teori të ndryshme në këtë argument për dalliminin e këtyre dy kulturave. Ky libër është një reflektim filozofik, jo një argumentim antropologjik. [Libri është shkruar në vitet 2005-2008 dhe është botuar në vitin 2009]

https://www.academia.edu/32880795/Kultura_K

Premisa antropologjike, 2016

Ky libër është një përmbledhje e dymbëdhjetë eseve, disa prej të cilave janë botuar më herët nëpër revista të ndryshme. Libri ndahet në katër pjesë. Pjesa e parë përfshin tri ese të cilat synojnë t’i vendosin n’pah disa premisa specifike të antropologjisë, që kanë të bëjnë me motivimin dhe interpretimin. Këtu vihet n’pah lëmia e antropologjisë si disiplinë e një vrojtimi, studimi e shkrimi të veçantë në kuadër të shkencat shoqërore dhe potencohet pesha e zanit të antropologut si za autorial. Se deri në çfarë mase ky za del si solistik, simfonik, polifonik apo kakofonik, sikur aludon Clifford Geertz-i, kjo varet nga autori, përkatësisht antropologu i cili është edhe etnograf. Pjesa e dytë “Tradita dhe trashëgimia kulturore” përmbledh katër ese mbi traditën dhe trashëgiminë kulturore. Të gjitha esetë kanë dalë si rezultat i punës dhe vrojtimit etnografik, por ato janë shkruar si kumtesa të shkurtëra mbi koncepte e argumente përkatëse. Në to ka hipoteza, teza e argumente nistore, e në disa raste edhe fundore, por siç thamë, për arsye të natyrës së konferencave në të cilat janë lexuar e botuar, ato janë më të shkurtëra. Kjo s’do të thotë se ndonjë prej tyre nuk mund të vazhdojë udhën e vet monografike. Pjesa e tretë “Kultura e bukës” sjell edhe tri ese të cilat mëtojnë të jenë ese antropologjike të gërshetuara me evidenca empirike nga hulumtimet e gjata në terren dhe me përshkrime më të thukëta etnografike. Ato rrjedhin si rezultat i punës në terren për projekt doktorate. Pjesa e katërt e këtij libri “Filmi etnografik” rreshton dy ese të një fushe specifike në antropologjinë vizuele, atë të filmit etnografik. [Disa ese janë shkruar e botuar në vitin 2007 – 2015 e disa janë shkruar gjatë viteve 2014-2015 e janë botuar në vitin 2016 të gjitha si përmbledhje]

https://www.academia.edu/42240061/Premisa_antropologjike

Teoritë antropologjike: hyrje e shkurtër, 2019

Ky libër është një hyrje e shkurtër në antropologji, që fokusohet në fushën e teorive antropologjike. Librin ofron një panoramë të teorive antropologjike prej evolucionizmit linear deri te teoritë e fundit eklektike. Diskutohet edhe për teoritë që janë zhvilluar brenda veprave dhe si rezultat i punës empirike antropologjike, por edhe për teoritë e përvetësuara nga antropologët në veprat e tyre. Hapësirë u jepet shqyrtimit të difuzionizmit, funksionalizmit, strukturalizmit, marksizmit, feminizmit, interpretativizmit. Por, theksohet edhe postmodernizmi e poststrukturalizmi, si teori që ngacmojnë antropologjinë. Ka kapitull edhe mbi teorinë e kulturës materiale. Argumenti synon të theksojë peshën e teorive, por jo mbipeshën teorike në rrëfimin etnografik e interpretimin antropologjik. Libri u ofron studentëve të antropologjisë dhe shkencave shoqërore e dijeve humane një skicë të zhvillimit të mendimit teorik antropologjik. Pra, libri përmban parathënien, 12 kapituj tematikë, bibliografinë dhe indeksin e emrave. [Libri është shkruar gjatë viteve 2014-2019 dhe është botuar në vitin 2019]

https://www.academia.edu/…/Teorite_antropologjike_-_hyrje_e…

Shënime nga Biblioteka, 2019

Në këtë libër janë përmbledhur 30 recensa të librave të ndryshëm në fushën e antropologjisë dhe dijeve tjera. Recensa nuk është konvencionale, por ndjek idenë e piramidës së kthyer mbrapsht, ku hapet diskutimi më i gjerë për tematikën ose kontekstin tematik, pastaj shkrimi vazhdon te temat e librit. Gjuha e recensës synon të jetë gjuhë që përkon me argumentin objektiv, por nuk mohoj faktin se lexuesi mund të hetojë edhe subjektivitetin e autorit. Librat e përzgjedhur janë kryesisht të antropologëve të shquar që kanë shkruar në dekadat e fundit, por ka edhe libra të autorëve që kanë shkruar më herët, librat e të cilëve janë botuar tek tani. Ka edhe recensa të veprave të filozofëve, politologëve, arkeologëve, arkitektëve, primatologëve etj. [Recensat janë shkruar gjatë periudhës 2018-2019, kur edhe janë botuar në medie të ndryshme, pastaj janë përmledhur në një botim në vitin 2019]