Kronika e zezë

Adoleshentja me shokun e saj terrorizojnë të moshuarën, i futen në banesë për ta grabitur dhe e dhunojnë, arrestohen nga policia

Një e moshuar në Lushnjë, është terrorizuar mbrëmjen e së enjtes nga dy adoleshentë të cilët kanë tentuar të grabisin banesën dhe më pas e kanë dhunuar mizorisht. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40 në lagjen “18 Tetori”, ku 2 adoleshentë kanë hyrë në banesën e të moshuarës me iniciale L. Z., 64-vjeçe dhe i kanë hedhur sprajt lotsjellës në fytyrë, kanë ushtruar dhunë ndaj saj dhe e kanë mbyllur atë në një dhomë të kësaj banese.

Policia më tej jep detaje se, më pas të rinjtë kanë kontrolluar në banesë për sende me vlerë, por nuk kanë gjetur dhe janë larguar. “Ushtruan dhunë ndaj të moshuarës, me qëllim vjedhjen në banesën e saj, Policia zbardh ngjarjen në kohë rekord, identifikon dhe arreston në flagrancë 2 autorët. Vihen në pranga një 18-vjeçar dhe një 16-vjeçare.

Gjatë ditës së djeshme, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit u ngrit grupi hetimor dhe pas një pune të mirëorganizuar operative dhe profesionale u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i 2 autorëve: J. K., 18 vjeç dhe K. B., 16 vjeçe, të dy banues në Lushnjë. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale sprajti lotsjellës që ata kishin përdorur me qëllim realizimin e vjedhjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin për shtyp nga policia. Ndërkohë, një fqinj mësohet të jetë shprehur se e ka parë 16-vjeçaren teksa po i shkonte në shtëpi, por ka menduar se ishte vajza e saj. “E pashë te dera, mendova se ishte goca, ika u largova. Kur tak-tak derës, thashë se ishte goca dhe i ishte prishur brava, se unë s’e lija të hynte se unë këtu rri gjithë ditën. Dhe pastaj kur erdha me karrocën me bar, shoh policinë. Shyqyr zoti që nuk e ka gjetur gjë”, tha një fqinj.


E moshuara tregon detajet e ngjarjes

Për më tepër detajet e ngjarjes i ka zbardhur vetë 65-vjeçarja, e cila mësohet të ketë rrëfyer se vajza e ka mashtruar duke u shtirur se ishte e sëmurë me vrimë në zemër, që të futej brenda në shtëpi. Gjithashtu ajo mësohet të jetë shprehur se i erdhi keq dhe e ka lejuar që të futej brenda duke i dhënë një gotë ujë, në këtë moment e reja e ka qëlluar më spraj lotsjellës, e ka kapur nga duar, e ka tërhequr zvarrë dhe e ka mbyllur në dhomë. Pas kësaj, vajza ka kontrolluar në të gjithë shtëpinë për të gjetur ndonjë send me vlerë. Më pas, ka telefonuar shokun e saj, J. K., 18 vjeç të arrestuar, që e ka ndihmuar që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Më tej e moshuara mësohet të ketë thënë se në shtëpi ka pasur disa sende floriri, por nuk e di nëse i ka marrë, është duke bërë kontrollin në shtëpi për të parë se çfarë i mungon. 16-vjeçarja e arrestuar, ka shfrytëzuar faktin që e moshuara jeton në shtëpi e vetme me mbesën e saj, e cila në atë moment nuk ka qenë në shtëpi. “Jetoj e vetme vetëm me mbesën, është vit i dytë edhe ajo u shtang kur erdhi gjeti gjithë atë rrëmujë, “ça ka ndodhur”. Kam një gocë, të ëmën e mbesës, djali punon në Tiranë, rri me qira, vajzën tjetër e kam në Kosovë, jetoj vetëm me mbesën”, tha e moshuara. Kur 16-vjeçarja është larguar, e ka lënë të moshuarën të mbyllur në dhomë. Më pas 65-vjeçarja mësohet të ketë dalë nga dritarja, ka thyer xhamin dhe më pas ka telefonuar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes.