SPORT

Ademi thotë se Anglia s’ka pse të frikësohet nga racizmi në Kosovë

Anglia nuk do të përballet me abuzime raciste me të cilat është përballur gjatë ndeshjes në Bullgari në kuadër të Evropianit 2020 kur të udhëtojë në Kosovë javën e ardhshme, ka thënë presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Anglia do të përballet me Kosovën në ndeshjen e fundit të saj kualifikuese më 17 nëntor, por Ademi thotë se djemtë e Gareth Southgatet nuk kanë për çka të frikësohen në këtë udhëtim dhe ka theksuar lidhjet e forta historike mes dy vendeve.

“Nuk kemi fare brenga për sa i përket racizmit”, ka thënë Ademi për agjencinë e lajmeve PA.

“Kosova për një kohë të gjatë ka vuajtur nga diskriminimi. Na janë dashur dekada përpjekje, vuajtje dhe në fund edhe luftë për t’i dhënë fund këtij diskriminimi. Rrënjët e racizmit janë në diskriminim dhe si i tillë është i dënueshëm në shoqërinë tonë”, ka shtuar Ademi, transmeton Koha.net.

Ademi po i referohej luftës së viteve ‘98-‘99 kur forcat serbe u përleshën me shqiptarët në Kosovë.

Britania e Madhe ishte pjesë e koalicionit ndërkombëtar që detyroi serbët të tërhiqeshin dhe Britania ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

“Roli i Anglisë si vend në çlirimin e popullit të Kosovës nga regjimi shtypës i Serbisë më 1999 ka qenë instrumental”, ka thënë Ademi.

“Por jo vetëm kjo, Anglia është bërë strehë e mijëra refugjatëve kosovarë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës. Secili prej tyre, në një mënyrë apo tjetër, është prekur nga mbështetja e përzemërt dhe bujaria e qytetarëve anglezë. Disa nga këta refugjatë të asaj kohe janë yje sot për shkak se Anglia i strehoi ata, u siguroi shkollim dhe u ofroi mundësi”.

Yjet për të cilat flet Ademi janë yjet e popit si Dua Lipa e Rita Ora. Ora është lindur në Prishtinë dhe prindërit e saj janë larguar për në Britani derisa ajo ishte foshnje, ndërsa Lipa është lindur në Britani pasi prindërit e saj lanë Kosovën.

“Rita Ora dhe Dua Lipa janë artiste të njohura në mbarë botën të cilat, përveç që s’e harrojnë kurrë vendlindjen e tyre dhe e përmendin me krenari, ato s’kanë harruar kurrë të tregojnë mirënjohje për Anglinë dhe për mundësitë që ua ka hapur atyre”, tha Ademi në këtë bisedë me agjencinë e lajmeve PA.

“Jemi të sigurt se lojtarët anglezë nuk do të dalin nga fusha për shkak të abuzimit. Lojtarët e të dy ekipeve do të largohen në fund nga fusha të përkrahur nga shikuesit, pavarësisht rezultatit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.