Kosova

Abuzimi me komasacionin lë fermerët pa tapi

Ka më shumë se tre vjet që për Ministrinë e Bujqësisë janë finalizuar punët në Drenas e Vushtrri për sipërfaqet e komasacionit, që kishin nisur në vitet ’80. “Në letër” kështu është, por në terren gjërat nuk kanë ndryshuar, ani se kompanisë së kontraktuar Ministria ia ka gjuajtur në konto paratë për zbatimin 100 për qind të kontratës në këto komuna.

Drenasi është një nga komunat që kompania kishte realizuar projektin në territor më të madh. Ishte bërë në 21 zona kadastrale, në një sipërfaqe prej 4.790 hektarësh, që shumëzuar për njësinë që ishte 197.40 euro për hektar, i bie të jetë realizuar për vlerën që mbërrin gati 1 milion euro, shkruan sot Koha Ditore.

Në fund të zbatimit të kontratës, kishte pasur ankesa në Ministri nga shumë pjesëmarrës në komasacion, por ato ishin kthyer si të pabazuara dhe, ose i ishin vënë Komisionit komunal për rishqyrtim, ose ishin përcjellë në gjykatë.

“Pasi janë përfunduar këto ankesa, lëndët janë të gatshme që të futen në Regjistrin e të drejtave të pronës së paluajtshme – RDPP, në Komunën e Drenasit”, thuhet në një raport që gazetës ia ka prezantuar Ministria.

Është thënë kjo, pavarësisht se neni 27 i Ligjit për rregullimin e tokë, saktëson se procedura e komasacionit “përfundon me Regjistrimin përfundimtar në RDPP të të gjithë pronarëve të rinj në projekt”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.