Bota

Abuzime e përdhunime – ana e shëmtuar e industrisë botërore të bukurisë

Sumatra, Indonezi, 27 nëntor (AP) – Me duart e mbërthyera fort sipër gojës së saj, ajo nuk mund të bërtiste e edhe po të mundte, askush nuk ishte aty për ta dëgjuar edhe ashtu. Vajza e re 16-vjeçare kujton me këto fjalë përdhunimin nga shefi i saj midis lisave të gjatë të një plantacioni indonezian të palmës, që furnizon disa prej brendeve më të njohura botërore të kozmetikës.

Ai pastaj ia vuri në fyt një sëpatë dhe e paralajmëroi: Mos trego.

Në një tjetër plantacion, gruaja e quajtur Ola ankohet për ethet, kollë dhe gjakderdhje nga hunda pas viteve të tëra të kaluara duke spërkatur pesticide të rrezikshme pa pajisje mbrojtëse. Duke fituar vetëm 2 dollarë në ditë dhe pa përfitime shëndetësore, ajo nuk mund as të vizitohet tek mjeku.

Me qindra kilometra më larg, Ita, një grua e re, mban zi për dy foshnjat që ka humbur në tremujorin e parë të shtatzënisë. Ajo bartte rregullisht ngarkesa disa fish më të rënda se pesha e saj trupore gjatë dy shtatzënive, nga frika se mund të shkarkohej nga puna po të mos e bënte.

Që të gjitha këto janë gratë e padukshme të industrisë së vajit të palmës, janë ndër miliona të bijat, nënat dhe gjyshet që rraskapiten nëpër plantacionet masive përreth Indonezisë dhe Malajzisë fqinje, të cilat bashkërisht prodhojnë 85 përqindëshin e vajit më të pastër bimor në botë. Vaji i palmës ka zënë vend në çdo gjë, duke nisur prej patateve të skuqura deri tek ilaçet e ushqimet për kafshët, dhe ka përfunduar gjithashtu në zinxhirët e furnizimit të disa prej emrave më të mëdhenj të biznesit 530 miliardë dollarësh të bukurish. Mes këtyre emrave janë

“L’Oréal”-i, “Unilever”-i, “Procter & Gamble”, “Avon”-i dhe “Johnson & Johnson”-i, të cilët u ndihmojnë grave kudo nëpër botë që të ndihen të përkëdhelura dhe të bukura.

Pasqyrimi i abuzimeve të industrisë

“Associated Press” ka realizuar hulumtimin e parë gjithëpërfshirës mbi trajtimin brutal të grave të përfshira në prodhimin e vajit të palmës, në ndërmarrjen që ngërthen abuzimin seksual, ngacmimin verbal dhe kërcënimet për përdhunim. Është pasqyrimi më i thellë i industrisë që shpërfaq abuzime të kudondodhura në dy shtete, duke përfshirë trafikimin me qeniet njerëzore, angazhimin e fëmijëve në punë dhe skllavërinë të formës më të rëndë.

Image
Gratë ngarkohen me punët më të vështira dhe të rrezikshme të industrisë, duke kaluar orë të tëra të zhytura nga brezi e poshtë në ujërat e mbushura me kemikate dhe duke bartur pesha aq të rënda saqë, në disa raste, ua shtrembërojnë kurrizin. Shumë prej tyre angazhohen nga nënkontraktorët për punë ditore, pa përfitime.

“Pothuajse çdo plantacion ka probleme të lidhura me fuqinë punëtore”, ka thënë Hotler Parsaoran nga grupi indonezian jofitimprurës “Sawit Watch”, që ka kryer hetime të thella rreth sektorit. “Por kushtet për punëtoret gra janë larg më të rënda sesa për burrat”.

Parsaoran thotë se është përgjegjësi e qeverive, kultivuesve, blerësve të mëdhenj botërorë dhe bankave që financojnë zgjerimin e plantacioneve që t’i luftojnë telashet lidhur me vajin e palmës, lëndë kjo që listohet nën më shumë se 200 emra përbërësish dhe që përdoret nga tri nga çdo katër produkte të kujdesit personal – nisur nga rimelet, shkumat për banjë deri te kremrat kundër rrudhave.

AP ka intervistuar me dhjetëra gra dhe vajza nga të paktën 12 kompani nëpër Indonezi e Malajzi. Për shkaqe sigurie, emrat e tyre janë përdorur ose vetëm pjesërisht, ose me nofka.

Qeveria malajziane ka bërë të ditur të mos ketë pranuar ndonjë raportim për përdhunim në plantacione, mirëpo Indonezia ka pranuar se abuzimet fizike dhe seksuale janë shndërruar në problem në rritje, teksa shumica e viktimave frikësohen të flasin për to. Megjithëkëtë, AP-ja ka arritur të vërtetojë rrëfimet e grave duke i rishikuar raportet policore, dokumentet ligjore, ankesat e paraqitura dhe të dhënat e mediave lokale.

Indonezia është prodhuesja më e madhe e vajit të palmës në botë. Në fushat e saja punojnë rreth 7.6 milionë gra. Në Malajzinë shumë më të vogël, shifrat janë vështirë të përcaktueshme, si pasojë e numrit të madh të emigrantëve të huaj që janë të punësuar aty e nuk figurojnë fare në regjistra.

Në që të dy shtetet, AP-ja ka zbuluar gjenerata të tëra nga e njëjta familje, kanë shërbyer në këtë industri. Disa kanë nisur punën si fëmijë përkrah prindërve, duke mbledhur bërthama dhe duke i krasitur pemët, pa mësuar kurrë shkrim-lexim. Disa të tjera, sikurse gruaja që u identifikua vetëm si Indra, kanë lënë shkollimin si rioshe. Ajo është punësuar në plantacionin malajzian “Sime Darby”, një prej kompanive më të mëdha të vajit të palmës në botë.

Vite më vonë, ajo thotë se shefi i saj kishte nisur ta ngacmonte, duke i thënë gjëra si: “Eja fli me mua. Do të ta jap një foshnje”. Ajo do të përvidhej prapa saj në fusha.

Tani 27-vjeçare, Indra e ëndërron ikjen, por e ka të vështirë krijimin e një jete të re pa arsimim dhe pa aftësi të tjera.

“Tashmë e shoh këtë si gjë pothuajse normale”, thotë Indra. “Nga lindja gjer tani, jam ende në një plantacion”.

Larg syve të botës, fshehur nën maskën e pemës së palmës, gratë kanë punuar nëpër plantacione qëkur kolonizuesit evropianë i sollën lisat e parë të tillë nga Afrika Veriore, mbi një shekull më parë. Në Indonezinë e asaj kohe, gratë e ashtuquajtura “të përdala” ndëshkoheshin me hedhjen e piperit djegës në organet e tyre gjenitale. Me kalimin e dekadave, vaji i palmës u shndërrua në përbërësin kryesor të industrisë së ushqimit, e cila ka eksperimentuar me yndyra të pashëndetshme alternative. Ndërsa kompanitë kozmetike, të cilat janë larguar nga përdorimi i përbërësve nga kafshët, tani janë mbërthyer nga kjo mrekulli duke i përdorur si në shkumat për rrojë e pasta dhëmbësh, ashtu edhe në sapunët dhe shamponët hidratues.

“Dua që të ndëshkohet”

Në pothuajse secilin plantacion, burrat janë mbikëqyrësit. Kjo gjë hap rrugën për abuzime dhe ngacmime seksuale.

Image
16-vjeçarja që përshkroi përdhunimin nga shefi – një burrë ky mjaftueshëm i moshuar për të qenë gjyshi i saj – kishte nisur punën në plantacion si 6-vjeçare për ta ndihmuar familjen t’i përthekojë shpenzimet mujore. Ditën kur u sulmua më 2017, ajo tha se shefi e dërgoi në një pjesë të largët të pronës, ku punë e saja ishte që të tërhiqte karroca të ngarkuara me frytet portokalli të vajit të palmës që ai mblidhte nga drunjtë. Papritmas, thotë ajo, ai e mbërtheu për dore dhe nisi ta prekte, duke e përplasur përtokë. Pas kësaj, ia vendosi sëpatën në fyt.

“Kërcënoi të më vriste”, tha ajo butësisht. “Kërcënoi të ma vriste gjithë familjen”.

Nëntë muaj pas kësaj dhe edhe katër përdhunimeve të tjera, ajo kryente punën me një djalosh të rrudhosur vetëm dymuajsh në krah. As që e merrte mundin ta qetësonte kur qante, e kishte të vështirë madje ta shikonte në fytyrë. Familja e saj e raportoi rastin në polici, por ankesat u rrëzuan, me pretendimin e mungesës së dëshmive.

“Dua që të ndëshkohet”, thotë vajza, pas një heshtjeje të gjatë. “Dua që të arrestohet dhe ndëshkohet pasi që nuk e lodhi kokën për foshnjën… nuk mori kurrfarë përgjegjësie”.

Në një rast tjetër, një rioshe indonezianen është trafikuar në Malajzi si skllave seksi.

Në një rast të rrallë të profilit të lartë që nxiti zemërim vitin e shkuar, predikuesja e një kishe katolike në Indonezi ishte lidhur në dru dhe sulmuar seksualisht nga dy punëtorë. Pas kësaj ishte mbytur. Përgjegjësit janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Derisa Indonezia ka ligje për mbrojtjen e grave nga abuzimi e diskriminimi, Rafail Walangitan nga Ministria e Fuqizimit të Grave dhe Mbrojtjes së Fëmijëve ka thënë të ketë qenë në dijeni të shumicës së problemeve të identifikuara nga AP-ja.

“Duhet të punojmë fort në këtë drejtim”, ka thënë ai, duke shtuar se Qeveria ka ende rrugë të gjatë për të përshkuar.

Në Malajzi, asnjë institucion nuk ka komentuar lidhur me rrëfimet.

Nageeb Wahab, shef i Asociacionit malajzias të Vajit të Palmës, ka thënë se punëtorët mbulohen nga ligjet shtetërore të punës, që ua ofrojnë të drejtën për paraqitjen e ankesave. Ata që janë në dijeni të ndërlikueshmërisë së jetës në plantacione pretendojnë se abuzimet seksuale kurrë nuk kanë tërhequr vëmendje të madhe.

“Janë gjëra që ndodhin çdokund, andaj s’ka pse të ankohesh”, ka thënë Saurlin Siagan, një aktivist dhe hulumtues indonezian”.

Në rastet e rralla kur viktimat flasin, kompanitë rëndom nuk ndërmarrin masa, ndërsa policia ose i rrëzon ose as nuk i evidenton raportimet.

“Lokacioni i plantacioneve është skenë e përkryer krimi për përdhunimet”, ka thënë Aini Fitri, një zyrtar indonezian nga zyra qeveritare për gradë dhe fëmijët në krahinën West Kalimantan. “Mund të jetë i rrezikshëm për njerëzit në errësirë, sidomos për gratë. Por edhe në mes të ditës, krimet mund të ndodhin aty”.

Shumë kompani të bukurisë dhe të mjeteve personale kanë mbetur kryesisht të heshtur për sa u përket ankesave të grave punëtore, por jo për shkak të mungesës së dijenisë.

Grupi i fuqishëm global industrial “Consumer Goods Forum” ka publikuar më 2018 një raport që alarmon 400 shefat ekzekutivë të rrjetit se gratë në plantacione u ekspozohen kemikateve të rrezikshme dhe “janë subjekt i kushteve më të rënda mes të gjithë punëtorëve të vajit të palmës”. Aty ceket gjithashtu se të pakta grupe lokale kanë përmendur shembujt e grave të detyruara që të ofrojnë seks për të siguruar apo mbajtur vendet e punës.

Me apo pa ankesa, pothuajse i gjithë presioni ndaj kompanive të vajit të palmës është përqendruar në uzurpimin e tokave, shkatërrimin e pyjeve dhe vrasjen e specieve të rrezikuara, si orangutangët.

Para se ta lindte foshnjën, Ita shtatzënë vazhdonte të bartte për çdo ditë ngarkesa enorme përgjatë fushave gjigante, duke shpërndarë 400 kilogramë pleh gjatë një 24-orëshi. Ajo i humbi të dy foshnjat e saja në tremujorin e tretë të shtatzënësisë dhe, pa sigurim shëndetësor, i kanë mbetur në duar faturat mjekësore që nuk ka mundur t’i paguante.

“Të parën herë që abortova, mjeku u detyrua ta tërheqë foshnjën”, ka thënë Ita, që punoi në plantacion që nga mosha 15-vjeçare. “Herën e dytë, e linda foshnjën në muajin e shtatë dhe ishte në gjendje kritike. E vendosën në inkubator. Vdiq pas 30 orësh”.

“Unë vazhdova të punoja”, tha ajo. “Kurrë nuk ndalova pas vdekjes së bebes”.