Kosova

Abrashi: Kurti si duket është frikësuar nga përgjegjësia dhe nga formati i dialogut

Sekretari Organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, në Rubikon të KTV-së ka thënë se Kurti duket se është frikësuar nga përgjegjësia dhe nga formati i dialogut.

Ai thotë se Kurti nuk i ka dëgjuar as kërkesat e shpeshta të SHBA-së për heqjen e tarifës, derisa përmend humbjet ekonomike për Kosovën.

“Sot SHBA-ja i ka ndoshta 2 apo 3 zyrtarë të lartë që merren me dialogun. Kryeministri normal që gjen arsye dhe me e nxjerr veten mirë. Ka qenë vet Grenelli me tone edhe të ashpra dhe me kërkesa që tarifa të largohet. E kjo nuk është dëgjuar. Një sinjal që një investitor po hiqet dhe në mes tjerash e akuzon politikën për ne është e papranueshme. E gjithashtu edhe tërheqja e MCC-së”, ka thënë Abrashi.

Ai thotë se është faji i Kurtit se pse jemi në këtë pikë.

“I pari që veproi me e prishë këtë pritje të LDK-së ishte kryeministri Kurti. Për mua është e papranueshme që nëse paradite e shkarkon LDK-në dhe pasdite e kthen atë. Kjo tregon e përdor metodën përçaj dhe sundo. LDK-ja gjithmonë e ka pasur një demokraci që ka qenë model për partitë e tjera. Është përgjegjësi e Kurtit se pse jemi në këtë pikë, e ka të bëjë me tarifën”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij Kurti ka disa këshilltarë që hapur janë kundër Amerikës.

“Ne kemi marrë informata se pse LDK-ja rri në një qeveri 4-5 këshilltarë të kryeministrit që flasin hapur ndaj antiamerikanizmit dhe neve na është bërë pyetje a e përkrahni këtë qeveri apo jo. Boshti jonë është partneriteti me SHBA-në dhe s’mund ta rrezikojmë atë”, ka thënë ai.

Tutje Abrashi thotë se nuk e di nëse ende është dorëzuar mocioni në Kuvend apo jo.

Sipas tij disa qeveri kanë rënë për mos përmbushjen e kërkesave të shtetndërtimit të Kosovës, e duket se edhe kjo e ka këtë fat.

Ai thotë se është duke u bërë një luftë egosh ndërmjet Thaçit e Kurtit.

“Sikur të isha në pozitë të tij ndoshta mbledhja e parë do të kishte të bënte me heqjen e tarifës dhe duket se ka bërë shumë kalkulime. Mendoj se kjo ka të bëjë se kush ka me e udhëheqë dialogun. Ne e kemi në anën tjetër edhe Thaçi insiston të merret me dialog. Këtu kemi të bëjmë me një luftë egosh se kush do ta udhëheqë dialogun”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij Kurti është i frikësuar të marrë përgjegjësi.

“Kurti si duket është frikësuar nga përgjegjësia dhe nga formati. Ideja ndoshta se edhe kush me dal para kamerave i pari na ka sjellë në këtë pikë. Kjo ka të bëjë edhe me udhëheqjen edhe me përqindjen se çfarë sjellë përmbajtja”, ka thënë Abrashi.

tij është “fake news” çështja e humbjes së territorit të Kosovës.

“Këto tema, këto ide qarkullojnë shumë në publik dhe Kosova përballet me ‘fake news’ dhe ne jemi edhe pre e asaj. Mendoj se është pre e ‘fake news’ (në çështjen e territorit). Jam i bindur se askush në Kosovë nuk sjellë një marrëveshje të dëmshme. Amerika na ka siguruar se nuk ka diçka të tillë (marrëveshje), dhe ju filloni dhe i shtroni kërkesat tuaja që janë në të mirë të vendit dhe që sjellë njohjen nga Serbia”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij Kosova ka humbur shumë pasi s’ka pasur lëvizje për kohë të gjatë rreth dialogut.

“Vitet e fundit nuk ka pasur lëvizje në raport me dialogun. Koha nuk po punon për neve, vendosja e tarifës dhe sjellja e Serbisë si viktimë i ka ndihmuar asaj politikisht, e reputacioni i saj është përmirësuar shumë. Njohja nga Serbia i hap rrugë investimeve ekonomike në Ballkan”, ka thënë Abrashi.