Kosova

Avdullahi përball Hotit

Qëllime të larta i kishte dhënë vetes Avdullah Hoti ditën kur u votua kryeministër i vendit më 3 qershor të këtij viti.

Kishte folur për “peshën e votës” dhe obligimin që ka “për t’ia dhënë demokracisë një çlirim të ri”, duke e unifikuar shoqërinë e polarizuar dhe duke kthyer besimin mes forcave politike. Por pas gati gjashtë muajsh në krye të Ekzekutivit, konsensusi shoqëror e politik as brenda partnerëve të koalicionit nuk duket në horizont. Gjatë kësaj periudhe Kosova theu rekord në shtimin e rasteve me COVID 19. Ndërkaq ekonomia është në rënie të lirë, e Qeveria nuk po arrin ta miratojë pakon e dytë për rimëkëmbjen e këtij sektori. Vendimmarrja e Hotit është shoqëruar me veprime që cenojnë pavarësinë dhe stabilitetin e institucioneve të drejtësisë e sigurisë, duke marrë vendime që promovojnë kulturën e pandëshkueshmërisë së njerëzve të lidhur me partitë në pushtet.

Misioni i (pa) kompletuar

Nënshkrimi i marrëveshjes finale KosovëSerbi në “Kopshtin e trëndafilave” në Uashington, ishte misioni kryesor që i përshkruhej Qeverisë së kryeministrit Hoti, e cila zuri fill pa një bazë të fuqishme me numra dhe me legjitimitet të kontestuar. Por marrëveshja nuk u nënshkrua në “Kopshtin e trëndafilave”, as brenda saj nuk e kishte “njohjen reciproke”, të cilën e kishte premtuar Hoti bashkë me Thaçin. Ky i fundit i dha shtytje formimit të një qeverie, e cila për herë të parë udhëhiqet nga një parti jofituese në zgjedhje. Për t’i hapur rrugë dialogut, ndër vendimet e para të Hotit ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë, të cilin e kishte vendosur ish-kryeministri Kurti. Nga pritjet që Hoti t’i shkojë pas presidentit Thaçi në Washington, u bë vetë udhëheqës i delegacionit. Ndodhi kjo pasi Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë, tri ditë para takimit ia preu rrugën Thaçit kur njoftoi se ndaj tij është deponuar një aktakuzë për krime lufte. Pas disa javësh pauzim, ish-emisari amerikan Richard Grenell rindezi motorët duke organizuar një takim mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, pjesë e të cilit ishte edhe presidenti Donald Trump. Prapaskenat e këtij takimi dëshmuan se Kosova ishte në defensivë. Palët u mjaftuan me një marrëveshje të ashtuquajtur për normalizim ekonomik, ku u përfshi edhe një resurs i rëndësishëm. Pala kosovare pranoi ta bëjë hisedarë Serbinë në shfrytëzimin e liqenit e Gazivodës, pasi Departamenti Amerikan për Energji ta ketë bërë një studim fizibiliteti. Kjo u cilësua heqje dorë nga një pjesë e sovranitetit të vendit. Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se marrëveshjet e deritashme në mënyrë të vazhdueshme kanë marrë copëza të rëndësishme sovrane nga shteti i Kosovës, e kështu e kanë forcuar pozitën e Serbisë përballë Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me qasjen e adoptuar deri më tani, sipas saj, fatkeqësisht nuk mund të pritet insistim më i madh dhe as përfaqësim më i denjë, as nga Qeveria e tanishme. “Mendoj që marrëveshjet e deritanishme nuk janë asnjëra, në asnjë kuptim, kuptimplota, sa i përket rrugës apo detyrimit për të marrë një njohje nga Serbia. Edhe Marrëveshja e Uashingtonit nuk bën ndonjë përjashtim; ajo nuk përmend njohjen as si objektiv e as si detyrim sado implicit”, ka theksuar Loxha. “Për më tepër, normalizimi ekonomik nuk mund të bëhet pa njohje të ndërsjellë dhe rregullim ndërshtetëror të raporteve”.

Loxha vlerëson se strategjia e vetme që do të mundësonte një aranzhim të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një marrëveshje përfundimtare “e jo copëza marrëveshjesh që japin përshtypjen e ecjes përpara kur ne ende nuk kemi një qartësi minimale ndaj njohjes, integrimit evropian dhe stabilizimit institucional të veriut të Kosovës”. Sipas Loxhës, Kosova duhet të kërkojë që njohja e ndërsjellë të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje kornizë dhe asaj përfundimtare. E politologu Belul Beqaj thotë se kjo qeveri është krijuar pikërisht për të arritur marrëveshjen me Serbinë, sipas instruksioneve të administratës Trump. “Pas dështimit të administratës Trump arsyeja e formimit nuk ekziston më, prandaj nuk duhet të ekzistojë më as kjo qeveri”, ka theksuar ai, i cili nuk pret që kjo qeveri ta arrijë njohjen e ndërsjellë. “Kjo qeveri e ka konsumuar shansin në mënyrë të turpshme duke mashtruar opinionin. Besoj se shumë shpejtë do të organizohen zgjedhjet të cilat do ta qesin në sipërfaqe një qeveri që do të reflektojë vullnetin politik të shumicës, e cila në bashkëpunim me administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian do ta përmbyllë me sukses këtë kaptinë”, ka shtuar ai. Hoti nuk ka hequr ende dorë nga njohja e ndërsjellë pavarësisht thirrjeve të partnerit të koalicionit- AAK-së për ndërprerje të dialogut pas konfirmimit të aktakuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Kandidati për president, Joe Biden, të cilin rezultatet preliminare e nxorën fitues, kishte kritikuar presidentin Trump për qasjen në raport me Kosovën. Me ndryshimet që prodhuan zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, palët kanë çuar sinjale se nuk do t’u qëndrojnë pas të gjitha zotimeve të firmosura në marrëveshjen e 4 shtatorit. Gjatë fushatës zgjedhore, Biden ka përsëritur se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Në një letër drejtuar shqiptaro-amerikanëve, presidenti demokrat është zotuar se do të punojë me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe garanton njohjen e plotë reciproke. Zyrtarisht Bashkimi Evropian vazhdon të mbetet i mandatuari i vetëm nga OKB-ja për ta ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi. 

Luhatja e koalicionit

Më 3 qershor u votua Qeveria e pakicës, e para prej pasluftës që bazohet në koalicion, i cili nuk e ka shumicën e votave në Kuvendin prej 120 deputetësh. Kryeministri Hoti dhe kabineti qeveritar i propozuar prej tij mori mbështetjen e vetëm 59 deputetëve të subjekteve në koalicionin e ri qeverisës të drejtuar nga Lidhja Demokratike (LDK), përfshirë njërit deputet që ka votuar me intervenimin e presidentit Hashim Thaçi, dhe një tjetri, të cilit i është kontestuar kushtetutshmëria e mandatit për shkak të një dënimi nga gjykata. Për të arritur minimumin e kërkuar prej 61 votash, vendimtare kanë qenë dy votat e deputetëve të AKR-së, që vendosën ta votojnë Qeverinë Hoti, por të rrinë në opozitë. Për këta gjashtë muaj, sipas vëzhguesve të punës së Qeverisë, ka pasur një shpërqendrim të theksuar sa i përket agjendës qeveritare në shume fusha, siç janë arsimi, shëndetësia, investimet publike. “Ka një tendencë të vazhdueshme të partnerëve më të vegjël të koalicionit për të shtyrë vendime të anshme politikisht dhe që eventualisht përbëjnë tendenca klienteleske ndaj elektorateve të tyre. Kjo është reflektuar edhe gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2021”, ka thënë Loxha (GLPS).

Aktualisht LDK-ja është në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me Nismën Socialdemokrate (NS), me Listën Serbe (LS), si dhe me disa nga partitë e komuniteteve të tjera pakicë. Pas dorëheqjes së presidentit Thaçi, të cilit iu konfirmua aktakuza për krime lufte, krahas Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, LDK-ja ka nisur përpjekjet për zgjerimin e koalicionit, duke tentuar ta fusë brenda PDK-në. Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar konsulta me partitë politike për postin e presidentit, që aktualisht është me ushtrues detyre. Derisa në PDK kanë thënë se do ta trajtojnë çdo ftesë zyrtare që iu shkon, Vetëvendosje s’do të përkrahë asnjë kandidat për president të vendit, pa zgjedhje të jashtëzakonshme. Për deputetin e Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku, kjo qeveri nuk ka arritur asnjë rezultat që do ta arsyetonte vazhdimësinë. “As edhe një çështje nuk ka arritur ta trajtojnë si duhet dhe ta mbyllin me sukses. Kjo qeveri nuk është krijuar për të qeverisur dhe gjetur zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve”, ka thënë ai. Sa u përket prioriteteve që kishte prezantuar Hoti – menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomikesipas Çekut, nuk ka pasur fare menaxhim. “Pasojat janë të përmasave katastrofale për shëndetin publik. E kësaj përmase është edhe dështimi në ekonomi. Një qeveri që e shkatërron shëndetin dhe ekonominë duhet të shkojë sa më parë”, ka theksuar ai. Çeku e ka quajtur absurde akuzën e Qeverisë drejtuar opozitës për mungesën e numrave. “Kjo nuk ndodh askund në botë. Leximi i saktë i çështjes së numrave është se kjo qeveri është ilegale, nuk i ka numrat dhe si e tillë duhet të shkojë. Vendi ka nevojë për rilegjitimim të institucioneve përmes zgjedhjeve të reja”, ka shtuar ai. Gazeta ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga partia tjetër opozitare – PDK, por kanë munguar përgjigjet. 

Shkarkimet, shuarja e Task-Forcës Kundër Korrupsionit…

Premtimi i Hotit ka qenë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në ekspozenë e tij para deputetëve më 3 qershor, Hoti kishte thënë se do të transformojë sistemin e drejtësisë dhe sigurisë përfshirë zbatimin e vettingut në përputhje me standardet evropiane. Por me veprime e bëri të kundërtën. Me një seri vendimesh, Hoti ka shuar një Task Forcë Kundër Korrupsionit, shkarkoi drejtorin e Policisë së Kosovës, duke vendosur në pozita të larta njerëz të afërt me partinë. Këto veprime u cilësuan hakmarrje e Hotit për shkak se subjekt i hetimeve për korrupsion kanë qenë edhe zyrtarë të lartë në LDK. Në programin qeverisës 2020-2023, Qeveria zotohet se do të promovohet shteti ligjor me transparencë dhe përmes forcimit të mekanizmave llogaridhënës. “Do të punohet për zbatimin e vettingut institucional, në përputhje me standardet evropiane dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë nga BEja dhe SHBA-ja”, thuhet në program. Mes masave tjera të premtuara janë edhe rishikimi i legjislacionit që rregullon sistemin e drejtësisë që lidhet me funksionimin më efikas të institucioneve të drejtësisë, “për të siguruar edhe qasjen e lirë dhe të barabartë të qytetarëve në drejtësi”. Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka kujtuar se LDK-ja gjatë fushatës parazgjedhore në vitin 2019 i ka kushtuar rëndësi të veçantë sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, duke premtuar çkapjen e shtetit, zhvillimin e procesit të vettingut në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, qeverisje me duar të pastra. 

“Përderisa si IKD kemi pasur shpresa në qëllimin e mirë të kryeministrit Hoti dhe qeverisë së tij për të ndalur praktikat e këqija të instaluara nga qeveritë e mëhershme, fatkeqësisht, ai dhe Qeveria që udhëheq na kanë dëshmuar të kundërtën. Ky kryeministër ka ndërmarrë veprime konkrete në kapjen e shtetit, vendime të kundërligjshme që cenojnë pavarësinë dhe stabilitetin e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, vendime që cenojnë sigurinë juridike  të qytetarëve dhe që promovojnë kulturën e pandëshkueshmërisë së njerëzve që janë të lidhur me politikën e në veçanti me LDK-në dhe partitë në pushtet”, ka thënë Miftaraj. 

Shtatë ditë pasi Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë arrestoi bashkëpartiakun e Hotit, nënkryetar i LDK-së, Haki Rugova, kryeministri i shkarkoi drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj, me arsyen e “performancës së dobët”. Largimi ndodhi vetëm një muaj pasi Hoti ishte shfaqur krenar me Policinë e Kosovës për aksionin në Karaçevë, i cili rezultoi me 60 të arrestuar, pjesa më e madhe e tyre zyrtarë policorë. “Operacioni i policisë në Karaçevë, i mbështetur edhe nga mekanizmat e tjerë, është dëshmi se institucionet tona të sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës. U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të normalitetit në çdo fushë”, kishte shkruar Hoti më 19 shtator. Shkarkimi i Qalajt i parapriu një ndryshimi të madh në Policinë e Kosovës, që do të vazhdonte edhe javët në vazhdimësi. Tri ditë më vonë Qeveria nxori vendim për shuarjen e Task-Forcës Kundër Korrupsionit, e cila ishte themeluar për hetimin e rasteve të komplikuara dhe atyre të profilit të lartë. Departamenti Special Antikorrupsion apo e ashtuquajtura Task-Forca Antikorrupsion ishte pjesë e Policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë. Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. Ambasada Britanike, Ambasada e Gjermanisë, EULEX-i e Komisioni Evropian kritikuan vendimin e Qeverisë. Hoti vazhdoi me shkarkime edhe në Administratë Tatimore e Doganë. Miftaraj (IKD) thotë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon vullnet politik dhe veprime të cilat në publik mund të perceptohen se janë ndërmarrë drejt përmirësimit të parandalimit apo luftimit të këtyre dukurive.

“Qeveria Hoti brenda një dite të vetme shkarkoi drejtorët në Policinë e Kosovës, ATK dhe Doganë dhe emëroi në këto pozita njerëz të afërt me LDK-në. Për më tepër, shkarkimet dhe emërimet u realizuan pa një arsyetim të duhur dhe pa një bazë solide që të bindin opinion publik se këto veprime ishin të domosdoshme”, ka potencuar Miftaraj. “Pas këtyre veprimeve që në sytë e ekspertëve u panë si një vazhdimësi e kapjes së shtetit, Qeveria Hoti mori një ndër vendimet më skandaloze dhe të kundërligjshme që cenuan bazat e sundimit të ligjit në Kosovë, siç ishte shfuqizimi i vendimit lidhur me themelimin e Task-Forcës Kundër Korrupsion. Pa dashur të komentojë sukseset e këtij mekanizmi, apo ligjshmërinë e themelimit të tij, një qeveri normale nuk merr vendime të tilla pa një analizë substanciale, pa koordinim dhe ndërveprim me institucionet përkatëse, dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë që kanë investuar me miliona euro në specializimin dhe profilizimin e 30 policëve në këtë task-forcë”. Për më tepër, siç ka thënë Miftaraj, vendimi i Qeverisë ishte në kundërshtim të plotë me analizën e kryer nga Grupi punues i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovës, i cili kishte kërkuar që kjo Task-Forcë të forcohej më tej në kuptim të ngritjes së profesionalizmit dhe integritetit dhe në asnjë rrethanë që kjo TaskForcë të shuhej. “Flasim për një punë disavjeçare të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë ku kanë qenë të përfshirë mbi 40-50 ekspertë vendorë dhe ndërkombëtare. Kjo është dëshmi që Qeveria Hoti asnjëherë nuk e ka pasur politikë përmirësimin e sundimit të ligjit, përkundrazi me veprime konkrete ka punuar në kapjen e shtetit dhe shkatërrimin edhe të atyre mekanizmave që janë në fuqi. Reagimi i ndërkombëtarëve në sinkron lidhur me vendimin e z. Hoti besoj se dëshmon mjaftueshëm lidhur me gabimin që e kanë bërë”, ka potencuar Miftaraj. 

Ekonomia përtokë

Rimëkëmbja ekonomike ka qenë prioriteti i dytë i prezantuar nga Hoti. Por në mungesë të votave Qeverisë iu deshën dy muaj për të miratuar rishikimin e buxhetit, dhe kështu t’i hapë rrugë ekzekutimit të pagesave nga pakoja e emergjencës. Për njohësit e ekonomisë pengesat e tilla janë goditje e rëndë e cila thellon krizën ekonomike, kohën kur shumë biznese veç kanë falimentuar. Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, thotë se shpërthimi i COVID-19 ka bërë që e tërë vëmendja e Qeverisë të jetë në menaxhimin e pandemisë dhe pasojave të saj. “Oda Ekonomike Amerikane ka bërë thirrje të vazhdueshme tek Qeveria që pavarësisht prioriteteve që lidhen me pandeminë, të ruhet vëmendja edhe në aspektet e tjera të qeverisjes ekonomike. Kemi pasur shumë pak ligje që lidhen me zhvillimin ekonomik që janë aprovuar nga Qeveria dhe përcjellë tek Kuvendi. Edhe numri i aplikacioneve të aprovuara për statusin e investitorit strategjik kundrejt numrit të përgjithshëm të aplikimeve është dëshmi tjetër e ngecjes në aspektin e nxitjes së investimeve të brendshme dhe të jashtme”, ka thënë Zeka. Sipas tij, qëllimi i Ligjit për Investime Strategjike është të ofrojë lehtësira në trajtimin e kërkesave të investitorëve, jo burokraci shtesë dhe jo vonesa përtej afateve ligjore. “Unë besoj që parimi i ndarjes së pushteteve nuk duhet të demonstrohet vetëm ndërmjet Ekzekutivit e Legjislativit, por edhe brenda vetë dikastereve qeveritare, që do të thotë se ministritë jo doemos merren me menaxhimin e efekteve të pandemisë në baza ditore, por duhet të fokusohen në aspektet e tjera”, ka deklaruar Zeka.

Derisa ka shqetësim për dinamikë të ngadalshme, sipas Zekës, duhet të përmendet fakti që Qeveria ka përfunduar ekzekutimin e pagesave nga Pakoja Emergjente Fiskale, edhe pse mbesin disa masa të zbatuara ende nga kjo pako, siç është mbështetja për eksportuesit. “Po ashtu nga bizneset është mirëpritur edhe masa prej 60 milionë eurosh e zbatuar së fundmi. Por sërish kanë munguar masat përkrahëse për eksportuesit të cilët janë goditur si pasojë e rënies së kërkesës në tregjet ndërkombëtare. Natyrisht nisja e zbatimit të masave më gjithëpërfshirëse mbetet peng i aprovimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike”, ka thënë ai. Zeka thotë se Qeveria por edhe deputetët e Kuvendit duhet ta kenë parasysh që qeverisja ekonomike dhe zhvillimi i qëndrueshëm kërkojnë konsensus nacional dhe jo kryeneçësi e mungesë kompromisi, “aq më tepër në rrethana kur kemi një qeveri pakice që nuk gëzon kuorumin e nevojshëm për kalimin e ligjeve”. Sipas tij, Qeveria ka përgjegjësi që t’i adresojë shqetësimet dhe rekomandimet e deputetëve, të cilën kanë argumentuar se projektligji nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk adreson si duhet nevojat e komunitetit të biznesit. “Debati jorelevant parlamentar në llogari të projektligjeve e temave të rëndësisë parësore e lë mbrapa agjendën legjislative si dhe vonon krijimin e legjislacionit për rimëkëmbje ekonomike, e kjo e fundit rrezikon mbijetesën e bizneseve dhe ruajtjen e vendeve të punës. Projektligjet si ky për rimëkëmbje ekonomike që kanë implikime edhe për borxhin publik kërkojnë debat përmbajtjesor parlamentar dhe më të gjerë publik, por edhe konsensus, prandaj pozicionimi ekstrem i të gjitha palëve është për keqardhje”, ka theksuar Zeka. Institucionet e vendit vazhdojnë të jenë të pafuqishme politikisht dhe të paafta për ta përmbushur listën e reformave në procesin integrues drejt Bashkimit Evropian. Mungesa e luftës efikase kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ndikimet politike në gjyqësor, politizimi i administratës publike, janë vetëm disa nga fushat në të cilat Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova ka pasur “progres të kufizuar”.

Publikim i Raportit të Shtetit, i Pakos së Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor dhe Planit Investiv e Ekonomik për rajonin e gjetën Kosovën si të vetmin vend në Ballkan pa strukturë institucionale për integrim evropian. Tek pas kërkesës së BE-së, Hoti e caktoi përgjegjës për integrime zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj. Abresha Loxha (GLPS) vlerëson se, edhe Qeverinë Hoti e ka përcjellë mungesa e një përkushtimi minimal për të zbatuar në mënyrë solide reformat e kërkuara nga ajo që tashmë njihet si politikë e zgjerimit të BE-së. “Kosova vazhdon të përballet me probleme thelbësore në funksionimin e mirëfilltë të pothuajse secilës sferë publike. Përkushtimi ndaj përmbushjes së agjendës së integrimit evropian vazhdon të mbetet deklarativ dhe sipërfaqësor dhe këtë e dëshmojnë qartë përmbushja e obligimeve që na dalin nga PKZMSA, ERA, Reforma e Administratës Publike, ndër të tjera. I vetmi hap para përgjatë këtyre muajve është aprovimi i ERA 2, në të cilën janë bartur shumë obligime të cilat kanë dështuar të përmbushen në ERA 1, dhe hartimi i planit të punës”, ka thënë Loxha. Sipas saj, Qeveria nuk ka ofruar ende një perspektivë të qartë qeverisëse ndaj disa sferave të sektorit publik. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me ligjin e ri të pagave, si do të financohen projektet e infrastrukturës publike dhe nëse do të ketë një sistem merite për emërime në pozita të larta, veçmas në ndërmarrjet publike dhe agjencitë ekzekutive./Koha.net