Kosova

Abdixhiku tregon se a bëhesh konsull apo lind?

Ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi raportimit të disa mediave se djali i deputetit Haxhi Shala, Flakron Shala është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë.

Abdixhiku ka ironizuar me emërimin e djalit të deputetit Shala në këtë pozitë, duke shkruar se konsul lind dhe nuk bëhesh.

“Konsul lind, s’bëhesh. Shënim për gjithë të shkolluarit e shkretë, vajzat e djemtë më t’zot të shtetit, që ëndërrojnë t’i shërbejnë vendit me nder. Dhe habitemi pse vite më pas diplomacia serbe rrotullon historinë e fundit me ne”, ka pohuar ai përmes një postimi në Facebook.

Për emërimin e Flakron Shalës ka reaguar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili ka thënë emërimi i tij ka të bëjë me votën e deputeti Shala për formimin e Qeverisë Hoti. “Një matematikë e thjeshtë. Paga e konsullit nëse nuk gaboj është 3200 euro në muaj. Mandati është tre vite, që nënkupton 115.200 e vetëm pagë. I paguhet qiraja e banesës, që minimum do të jetë le të themi 700 euro në muaj. Mbi 25.000 euro. Biletat e aeroplanit, shpenzime tjera gjatë qëndrimit në misionin diplomatik për tre vite së paku 20.000 euro. 115,200 paga, 25.000 qiraja, 20.000 shpenzime tjera. 160.200 euro totali”, kishte deklaruar ai.

https://www.facebook.com/abdixhiku/posts/10157884415392759