Kosova

Abdixhiku: PDK-ja po i frikësohet zgjedhjeve, Krasniqi e quan piun të Mustafës

Kanë nisur përplasjet paraelektorale të eksponentëve politikë në vend.

Facebooku mbetet arena ku politikanët përplasen në distancë.

Ka qenë deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai që ka akuzuar PDK-në se po ua ka frikë zgjedhjeve.

“Zgjedhjet u japin frikë deri në palcë. Vullneti i qytetarëve i tmerron. Sepse e dinë se kjo është hera e fundit që i rrinë Kosovës përmbi. Kaq. E pat. Njëzet vjet kapje po marrin fund – ma në fund”, ka shkruar Abdixhiku.

“Prandaj dhe Hashimi i PDK-së nuk cakton datë. Qeveri e rënë, e dorëhequr – dhe asnjë fjalë. Prandaj dhe Kadria i PDK-së nuk thërret seancë. Në blerje të vazhdueshme kohe, për aq sa mund të zgjasë. Prandaj dhe një ministër PDK-je, në cektësinë e diturisë që ka, thotë se zgjedhjet s’mund të mbahen sepse për to buxhet nuk ka. Por kishte për autostradë. Kishte për kontrata korruptive 50 e sa milionëshe. Kishte për pagat e tyre me rritje, për armatën e badihavgjinjëve, për ata dhjetëra zëvendësministra, koordinatorë, asistentë koordinatorësh e ku me ditë çka. Natyrisht se Kosova buxhet ka. Ka dhe një rezervë shtetërore mu për raste si këto”, ka shtuar më tej ai.

Abdixhiku ka thënë se Kosova s’ka veçse Qeveri.

“S’ka sot zot të mbarë shtëpie që shtetin e trajton jo si mjet ‘zhbirje’ – kapje deri në sekondin e fundit – por si përgjegjësi. Zgjedhjet janë veçse fillimi. Asnjë kalkulim i mbrapshtë s’mund të ndalë rënien e kapjes dhe fundin e PAN-it”, ka thënë Abdixhiku.

E s’ka vonuar shumë përgjigja nga shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi.

“Një piun i Isa Mustafës, që partia e vet s’e lejoi as të kandidohet në ndonjë degë dhe të cilin shumica e LDK-së e shohin si profiter ordiner, bën mirë ta shikojë oborrin e vet të kontaminuar, sepse kot bën ‘ciu ciu’ kur flet për PDK-në. Zgjedhjet, për PDK-në, janë jo vetëm të pashmangshme, por të domosdoshme, për t’i dhënë Kosovës një qeveri me legjitimitet dhe me vizion të qartë zhvillues dhe perëndimor. Ndërsa, profiterët e brezit të dështimit, që politiken e kanë veç rrugë tranzite, pas zgjedhjeve, mund ta përcjellin vetëm si vrojtues të (pa)interesuar punën e pakrahasueshme që do ta bëjë qeveria e udhëhequr nga PDK”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka thënë tutje se “frustrimet që i kanë me partine e tyre ky grup i ‘jurishnikëve’ të ledhatuar të Isa Mustafës, të cilët garda e vjetër e LDK-së i shkeli në çdo hap të zgjedhjeve të tyre të brendshme, nuk shërohen duke u marrë me PDK-në”.

“Janë mësu në LDK me u rritë duke e sha PDK-në dhe lidershipin e saj, por kjo me s’ju funksionon. Shikojeni procesin e zgjedhjeve në PDK dhe krahasojeni atë me karriget fluturuese në LDK dhe e kuptoni saktë dhimbjen e tyre, por edhe dallimin mes nesh. Ne jemi të vendosur për jetësimin e ‘Dekadës së Re’ e ata ende janë në ‘Shekullin e Vjetër’, me të njëjtit njerëz, me të njëjtit kryetarë degësh, me të njëjtat pabesi në garën për kryetar partie e me të njëjtin mentalitet dhe pa hapësirë për ndryshim e për të rinj”, ka thënë më tej Krasniqi.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483