Kosova

Abdixhiku: Nekibe Kelmendi, emblemë identifikuese e një gruaje të pamposhtur

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë bën homazhe te varri i veprimtares Nekibe Kelmendi, në 10 vjetorin e vdekjes së saj.

“Sot, në përvjetorin e ikjes në amshim përkujtojmë Nekibe Kelmendin, atdhetaren dhe veprimtaren e madhe të kauzës nacionale. Ajo ishte një emblemë identifikuese e një gruaje, e një nënë të pa mposhtur që përkundër sfidave nuk u gjunjëzua asnjëherë.

Nekibe Kelmendi tashmë ka krijuar emrin e saj të merituar jo vetëm si një nga aktivistet e para të LDK-së, por edhe si profil i një njeriu që përkundër dhimbjes së madhe qe ia shkaktoj lufta duke iu vrarë nga regjimi serb bashkëshorti dhe dy djemtë, ajo nuk u ndal së punuari për formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës.

Si veprimtare e hershme viteve 90-ta, si Ministre e Drejtësisë nuk kursej asgjë nga vetja për të mirën e vendit. Data e 19 qershorit 2021 mbush një dekadë nga ikja e saj fizike, ne e përkujtojmë me pietet dhe nderimin më të lartë emrin dhe veprën e saj.

Gjurmët, sakrifica dhe puna e saj tashmë janë një udhërrëfyes për ne që të ecim përpara duke mos harruar kurrë rrugën e vështirë të personaliteteve si Nekibe Kelmendi.”

Ndërsa, znj. Kosovare vajza e veprimtares Nekibe Kelmendi, falënderoi kryetarin Abdixhiku për nderimin dhe respektin ndaj figurës së nënës së saj, Nekibe Kelmendit, të cilën e kujton si simbol të qëndresës, e cila arriti që vuajtjet t’i shndërroj në luftë për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. /Kosova.info/