Abbott thotë se s’ka pasur kohë ta lexojë draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Rama

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se ende nuk ka pasur ta lexojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të propozuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Ai tha se situata aktuale është e vështirë dhe sipas tij, është krejt normale që Kosova t’i dëgjojë këshillat që vijnë nga miqtë dhe partnerët e saj.

“Shqipëria është një vend që është shumë i afërt me Kosovën. Ne e dimë se javën e ardhshme do të ketë një mbledhje mes qeverive. Jam i sigurt se do të ketë shumë çështje në tryezë. Këshilla imë për qeverinë është që t’i dëgjojë të gjitha këto, të gjejë rrugën e duhur përpara, por një rrugë që tregon mirëkuptim për shqetësimet e miqve të saj”, tha Abbott për KP.

Tutje, ai tha se partnerët ndërkombëtarë po i kërkojnë Kosovës shtensionim të situatës në veri të vendit.

“Ne nuk besojmë se është e nevojshme që kryetarët e komunave të punojnë nga zyrat komunale dhe nuk besojmë realisht se ka nevojë që njësitë speciale të policisë të veprojnë si roje për ndërtesat”.

“Ata kanë punë shumë më të rëndësishme për të bërë diku tjetër. Kështu që shpresoj shumë që në ditët në vijim të shohim një ndryshim”, tha Abbott

Go to TOP