Kombëtare

Bahtiri nënshkroi vazhdimin e kontratave për bursa për 42 studentë

Në sallën e Kuvendit Komunal, kryetari i komunës së Mitrovicë, Agim Bahtiri, sot ka nënshkruar kontratat me 42 studentë që u janë vazhduar bursat për vitin akademik 2020/21.

Me rastin e nënshkrimit të kontratave  të pranishëm ishin kryetari, Agim Bahtiri, si dhe drejtoresha e Administratës, Valmire Sylejmani.

Në fjalën e tij, Bahtiri, ka përgëzuar studentët e përzgjedhur, duke ju uruar suksese në të ardhmen dhe përfundim të suksesshëm të studimeve me rezultate sa më të mira.

“Duke pasur parasysh  rezultatet e mira në mësime, ju inkurajoj që të  punoni  dhe të studioni sa më shumë për një të ardhme më të mirë për vete dhe për shoqërinë”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Komisioni në përbërje të anëtarëve profesional, ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet me kujdes, dhe përfitues janë shpallur vetëm ata të cilët kanë marrë pikë më së shumti, duke u bazuar në kriteret e konkursit.

Pas nënshkrimit të kontratave, studentët u shprehën të jenë mirënjohës për mbështetjen që  komuna po iu ofron, si një motiv shtesë për të vazhduar studimet dhe një lehtësim financiar për familjet e tyre.