Kosova

AAK-ja propozon Konferencë të krerëve të partive: Dialogu është komprometuar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në një konferencë për media, ku ka propozuar që të mbahet një Konferencë për Kosovën në Prishtinë, ku do të merrnin pjesë prijësit e partive politike dhe përfaqësuesit e ShBA-së dhe BE-së, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ky propozim i tij vjen, siç ka thënë ai, pas përçarjeve të shumta të taborit politik të Kosovës, qasje që po e dëmton Kosovën në raport me Serbinë.

“Si Aleancë, ne kërkojmë që me u marr vesh se kah duam me ia mbajt. Propozoj që të thirret një konferencë për Kosovën që të mbahet në Kosovë, e përbërë nga kryetarët e partive politike, por edhe udhëheqësit e dialogut, ShBA pra, dhe lehtësuesit, pra BE. Kjo konferencë e Kosovës në Kosovë, do të mundte të krijojë një qëndrim unik, që do t’ua lehtësonte ShBA-së dhe BE-së që të pajtohemi për dialogun”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ka thënë se procesi i marrëveshjes me Serbinë tashmë është komprometuar.

“Procesi i marrëveshjes me Serbinë është komprometuar. Faktori politik në vend është përça, presidenti në njërën anë, kryeministri në tjetrën. Pikërisht për këtë arsye Kosova është bërë subjekt i bisedimeve dhe jo palë në tavolinë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, tashmë në Kosovë ekzistojnë dy blloqe politike, ai i Presidentit dhe ai i Kryeministrit. Por asnjëri nuk po i bën mirë Kosovës, ka thënë ai.

“Blloku politik që kërkon heqjen e taksës, e vendosë përpara kohën përpara kualitetit të marrëveshjes. Këtë bllok opozitar e udhëheqë njeriu që kërkonte shkëmbime territoriale, pra presidenti Thaçi. Blloku tjetër i udhëhequr nga Kurti e kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, nuk ka kalkuluar mirë, sepse kërkon heqjen e taksës po ashtu, por pa dakordim me ShBA-në”, ka theksuar ish-kryeministri Haradinaj.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.