Kosova

AAK-ja: Pati shkelje procedurale në seancën e sotme, “Konjufca nuk dha asnjëherë dorëheqje”

Shkumbin Demaliaj, deputet i AAK-së, në një konferencë për media, tha se Kuvendi i Kosovës për 2 orë pati dy kryetarë.

Kjo pasi, siç tha ai, asnjëherë nuk kanë marrë një shkresë zyrtare nëse Glauk Konjufca ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit.

“Neni 67 i Kushtetutës, Amendamenti 7, paragrafi 3, i jep të drejtë kryetarit të Kuvendit që të nënshkruajë aktet e miratuara nga Kuvendi. Në rastin tonë, kryetari i Kuvendit, gjatë miratimit të Qeverisë, ka votuar për miratimin e Qeverisë dhe e ka votuar veten si ministër, gjë që përbën konfuzion të madh lidhur me atë se kush duhet ta nënshkruajë aktin e miratimit të Qeverisë, që është detyrë ekskluzive kryesisht e Kryetarit të Kuvendit. Deputetja Teuta Haxhiu, gjatë debatit që u bë për qeverinë, e ka pyetur kryetarin se a ka dhënë dorëheqje nga posti, dhe përgjigja ka qenë jo. Pra, kjo dihet nga të gjithë sepse ka qenë publike. Pra, konfuzioni është se kush duhet ta nënshkruajë vendimin e miratimit të qeverisë nga Kuvendi. Ende s’e kemi marrë me shkrim, por thanë që e ka nënshkruar nënkryetarja e Kuvendit. Por, në rastin tonë, nuk ka pas mungesë të kryetarit, nuk ka pas pamundësi, pra ka qenë prezent kryetari. Është një precedan i ri zgjedhja e kryetarit në detyrë ministër, mirëpo në këtë rast është konfuzion i madh kushtetues të cilin ekspertët do ta thonë fjalën e vet për gjithë këtë që ka ndodhur sot. Është një shkelje e madhe në rastin e nënshkrimit të miratimit të qeverisë që duhet ta bëjë Kuvendi”, tha Demaliaj.

“Në anën tjetër, kemi edhe diçka tjetër, kemi marrë rendin e ditës për mbledhjen e jashtëzakonshme të kryesisë së Kuvendit. Pas miratimit të qeverisë, është mbledhur kryesia e Kuvendit. Zyrtarisht është vetëm një pikë e rendit të ditës. Është diskutuar për dorëheqjen e kryetarit Konjufca. Në mbledhje të kryesisë nuk është shqyrtuar as nuk është miratuar dorëheqja e kryetarit Konjufca. Deri në atë moment i kemi dy kryetarë. Ai nuk ka dhënë dorëheqje asnjëherë, është zgjedhur ministër. Këto dy subjekte politike mendojnë se institucionet e Republikës janë pronë private e tyre, e jo në bazë të kalimit zyrtar të kompetencave”, shtoi Demaliaj.

Sipas tij, dy orë pas zgjedhjes së Qeverisë, Konjufca hyn në zyrën e kryetarit të Parlamentit dhe “thyen rregulla tjera prokolare të pranim-dorëzimit postit të kryetarit, nga zoti Konjufca te Vjosa Osmani”.

“Ka shkelje drastike protokolare në këtë rast që na bën të themi se ky është një mashtrim i madh dhe mashtrimi ka filluar qysh në nxjerrjen e akteve të para të këtij institucioni kaq të madh, e lëre më me punën e qeverisë, e dimë se do të jetë mashtrim”, u shpreh deputeti i AAK-së.

Ai tha se gjatë ditëve në vazhdim do të shohin nëse ka rast për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për këtë rast.

Teuta Haxhiu tha se s’ka pasur asnjë shkresë zyrtare se cili është roli i Konjufcës gjatë seancës së sotme.

Në lidhje me largimin nga salla të deputetëve të AAK-së gjatë votimit të Qeverisë së re të Kosovës, Haxhiu tha se këtë e kanë bërë për shkak të “veprimeve dhe mashtrimeve të Albin Kurtit dhe shkeljeve të parimeve që i ka proklamuar. Po ashtu edhe për shkak se në fjalën e tij, në asnjë moment nuk foli për sakrificën që kanë humbur jetën për lirinë e vendit tonë. Nuk përshëndeti as familjet e nderuara Dehari, Xheladini dhe Balës. Pra, thjesht nuk e përmendi askënd dhe nuk e falënderoi asnjë familje, as të pagjeturve. Pra në fjalimin e tij pati vetëm mashtrim”.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483