Kosova

AAK i ka gati nënshkrimet për seancën e jashtëzakonshme kundër taksës

Çështja e heqjes së taksës dhe zëvendësimit të saj me masën e reciprocitetit, mund të nxitë tensione në skenën politike kosovare.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbledhur 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme kundër heqjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka pohuar se tashmë nënshkrimet do t’i procedojnë në Kryesi të Kuvendit.

“Po janë mbledhë nënshkrimet e tani do të procedohen në Kryesi të Kuvendi. Paraprakisht kemi mbajt një tryezë me bizneset tona e si konkludim ka dal se taksa nuk duhet të hiqet”, ka pohuar deputetja Kadrijaj.

E pyetur se çfarë veprimesh do të ndërmarrë AAK kundër heqjes së taksës, deputetja pohoi së për këtë do të vendosin pas seancës.

“Pas seancës do të shohim se cilat do të jenë veprimet e radhës. Për këto do të diskutohet në instanca të partisë dhe në Grupin Parlamentar”, deklaroi Kadrijaj.

Kujtojmë se taksa 100 për qind ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është vendosur në kohën kur kryetari i AAK-së, Ramush Haradianj ishte kryeministër i Kosovës.

Ndërkaq, pas ardhjes së Albin Kurtit në pushtet, taksa 100 për qind është deklaruar se do të zëvendësohet me masën e reciprocitet, gjë të cilën e ka kundërshtuar ish-kryeministri Haradinaj. Ai ka bërë thirrje Kurtit që mos ta largojë taksën për tu kthyer në dialog, por vetëm për marrëveshjen finale brenda kufijve ekzistues. /Telegrafi/