Kosova

AAK dorëzon ankesë në PZAP, pasi KQZ nuk ia certifikoi listën e kandidatëve për deputetë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot e ka dorëzuar ankesën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar listën e kandidatëve të kësaj partie, për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kjo për shkak se kjo AAK-ja nuk i ka zëvendësuar emrat e kandidatëve në lista që sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës (GJK) kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar, Kushtrim Xhemajli nga zyra për informim të AAK-së.

Sipas tij, ankesa në PZAP është deponuar sot para një ore.

“Po, sot para një ore është deponuar ankesa”, ka thënë shkurt Xhemajli për Telegrafin.

Ndërkaq, pritet që edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate të dorëzojnë ankesën e tyre në PZAP për çështjen e njëjtë, mirëpo deri më tash zyrtarë të tyre nuk i janë përgjigjur telefonatave të Telegrafit.

Telegrafi po ashtu është munduar që sërish të marr një përgjigje nga kryesuesi i sekretariatit të PZAP-s, Mulë Desku por i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen maratonike, e cila u mbajt një ditë më parë, nuk i ka certifikuar listat e kandidatëve të LVV-së, AAK-së e Nismës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Kjo për shkak se këto parti nuk i kanë zëvendësuar emrat e kandidatëve në lista që sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës (GJK) kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit. /Telegrafi/