Kosova

A votuan ministrat e LDK-së pro masave për reciprocitet me Serbinë?

Sonte Qeveria në detyrë e Kosovës me shumicën e votave ka marrë vendim për zbatimin gradual të reciprocitetit ndaj Serbisë, si zëvendësim për heqjen e taksës.

Me këtë vendim synohet që një mall i Serbisë që importohet në Kosovë t’i shkruajë Republika e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Kështu tha ministrja e Ekonomisë Rozeta Hajdari, e cila bëri me dije se ky është vendimi i parë për reciprocitet dhe se është në përputhje me Kushtetutën dhe Legjislacionin e Kosovës.

Por, a votuan pro edhe ministrat nga LDK-ja në mbledhjen online të Qeverisë?

“Kryeministri ka diskutuar me ministrat para se ta hedhë në votim. Propozim-vendimi ka marrë shumicën e votave. 10 deri 11 kanë votuar për”.

“Vendimi është për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Bëhet fjalë për certifikatat fito-sanitare dhe dokumentacionin shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore me prejardhje bimore dhe joshtazore duhet t’i nënshtrohen kontrollit fito-sanitar në kufi dhe masa e dytë është për certifikatën veterinare dhe dokumentacionit shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore me prejardhje shtazore që i nënshtrohen kontrollit në kufi”.

Hajdari në Klan Kosova tha se kompanitë kosovare janë përballur me shumë barriera ekonomike me Serbinë.

“Pengesa e parë, për shembull, janë kërkesat për etiketim nga ana e Serbisë për autoritetet e Kosovës që nuk janë në përputhje me formatin në mes marrëveshjes dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës në ndërmjetësimin e BE-së. Produktet bujqësore me origjinë nga Kosova nuk lejohen të eksportohen për shkak të etiketës që tregon se është prodhuar në Kosovë. E dyta mjaft shpesh nuk njihen certifikatat fito-sanitare dhe veterinare të lëshuara nga Kosova”.

“Konkretisht është synuar që çdo dokumentacion shoqërues të ketë emërimin në përputhje me kushtetutën e Kosovës”.

Hajdari ka folur edhe për lehtësimet që ia kanë bërë tregtarëve të miellit, gjë që është kundërshtuar nga prodhuesit vendorë të miellit.

“Kemi biseduar edhe për këtë me Shoqatën e Mullistëve edhe me tregtarët që në një mënyrë të mundshme të sjellin miellin e munguar. Si Qeveri jemi në favor të prodhuesve të Kosovës, por duke parë panikun e krijuar te qytetarët në këtë kohë, sepse mielli ka munguar është dashur të marrim një masë lehtësuese”.

Masa lehtësuese për heqjen prej 4 centësh e tregtarëve të miellit, Hajdari tha se do të hiqet shpejt dhe do të stabilizohet tregu.

“Qëllimi është që të kemi një balancë. Shpresoj që të kthehet më shpejt dhe kjo të ndodhë para një muaji. Si të marrim informata që kemi mbërri furnizimin me miell në treg dhe kemi balancuar çmimin e miellit do t’i kthejmë masat që kemi pas për tregtarët.