OPINION

A po punojnë për shtet apo xhep të tyre?

Koment: Kosova.info

Duket se elitat tona politike udhëhiqen nga ajo thënia e famshme e Napoleon Bonapartës: “Dëshiron të jesh i suksesshëm, premto shumë, mos bë asgjë”. Shembulli më i mirë i pornografisë qeveritare është vendimi për rritjen e pagave që është një sfidë për funksionimin normal të lukthit. Në këto 18 vite të pluralizmit demokratik, kulturë është bërë ulësja qeveritare. Nuk është me rëndësi çka ofron por çka merr. Statistikat e fundit të pagave të disa krerëve të institucioneve tregojnë për një pabarazi të madhe sociale.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e konsideron ngritjen e pagave se nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, duket se i kënaqur të jetë nga ky vendim Koordinatori nacional për reforma shtetërore në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri , i cili tha se me këtë vendim  më së shumti ka fituar sundimi i ligjit!.

Por analisti politik Blerim Burjani ka thënë se pas konstatimit të Agjencionit Antikorrupsion se vendimi i qeverisë përbën konflikt interesi është dashur të shkarkohet ose dorëhiqet si në çdo vend normal. Lëvizja Vetëvendosje me një shikim gjuajtës e ka quajtur vendimin e kushtetueses të padrejtë dhe korruptiv. Ndërsa ky vendim më së shumti duke ta ketë tensionuar Mursel Zymberi kryetarin e Sindikatës së Shërbyesve Civil i cili paralajmëroi se do futen në grevë pasi qeveria nuk po merr vesh.

A e di qeveria sa qindra mijëra i ka të papunë Kosova? Cila është paga e punonjësve në sektorin privat?  Prej cilave burimeve sigurohen pagat dhe pensionet? Nga prodhimi? Më e keqja  paga të majme kanë pasur edhe dështakët. Ndërsa PTK ka shënuar humbet më të mëdha duke u zhytur në borxh prej 60 milion euro, Ish-kryeshefi Ekzekutiv i saj  Agron Mustafa, pagën mujore e ka pasur 4436.55, pra në total ai ka marrë 53,238.6 euro brenda një viti!. Në vend se të penalizohet për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe shkaktim të dëmit ekonomik qeveria e Kosovës ka lejuar paga të tilla në këtë institucion.

Me çka qeveria arsyeton rritjen e pagave ku çdo muaj penalizohet për shkak të mos përmbushjes së kontratave me operatorë ekonomik? Deri më tani veç programeve shpenzuese të qeverisë nuk kemi parë ndonjë ide zhvillimore. A e di qeveria që sot qytetarët me probleme të ndryshme shëndetësore nuk mund të sigurojnë falas barnat nga lista esenciale. Asnjë barnatore e shtetit më nuk ekziston. Edhe ato qendra për regjistrimin e të papunëve  nuk kanë ndonjë regjistër të saktë të numrit të papunëve, përveç që qeveria disponon një buxhet për kategorinë e ndihmës sociale prej  31,426,880 euro. Sot ndihmat e jashtme janë më të mëdha se ato të brendshme.

Se në çfarë kolapsi është gjendja sociale dëshmojnë të hyrat nga remintencat që shënuan rritje  për 12.7 për qind, gjatë vitit të kaluar, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, e që arritën në 759.2 milionë euro. Falë këtyre remitencave pjesa më e madhe e popullatës sot është duke mbijetuar. Fitorja gjithmonë ka shumë etër, ndërsa dështimi gjithmonë është jetim. Ekzekutivi duhet sa më parë të nxjerrë ligjin për pagat dhe të mos abuzojë me paranë publike.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483