Rajoni

A po dobësohet epidemia në Maqedoninë e Veriut?

Numri i të sëmurëve nga Covid-19 në vendin tonë po ulet, epidemia po dobësohet dhe autoritetet tashmë nga java e ardhshme paralajmërojnë lehtësimin e masave, kthimin në punë të administratës, kopshteve dhe të gjitha kompanive dhe subjekteve të cilat janë mbyllur.

Zgjedhjet, kurdo që të mbahen duhet të realizohen sipas protokollit të rreptë për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve i përgatitur nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, ndërsa udhëtimet në muajt e verës do të koordinohen me vendet fqinje.

Në 24 orët e kaluara janë bërë 113 testime, ndërsa janë konfirmuar shtatë raste të reja, me çka numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Covid-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 1.518, numri i pacientëve të shëruar është 992, i të vdekurve është 85, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive është 441.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, është e qartë se numri i pacientëve të sëmurë po pakësohet, epidemia po dobësohet dhe kjo jep të drejtën të punohet në lehtësimin e masave.

“Masa për mbajtjen e maskave mbrojtëse, nëse respektohet, mundet të lejohet kthimi gradual dhe organizimi i njësive të punës, ndërmarrjeve dhe administratës në funksion. Duhet të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme për kopshtet. Këtë javë po përgatisim gjithçka në kuadër të aktiviteteve të Komisionit për sëmundje infektuese dhe me siguri që nga java e ardhshme këto masa do të implementohen gradualisht edhe atë pjesë-pjesë, siç do të përcaktojnë ekspertët”, deklaroi Filipçe në konferencën e djeshme për media për gjendjen me virusin korona në vendin tonë.

Ende zgjasin konsultimet dhe bisedimet për punën e kopshteve të fëmijëve, për çka ministri Filipçe paralajmëroi se do të kontaktohen edhe vetë kopshtet.

Për strategjinë për pushimet vjetore dhe udhëtimet në kohën e pandemisë në muajt e verës, ai tha se do të bisedohet pasi të koordinohen me vendet fqinje.

Për sot është caktuar takim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për rajonin tonë, ndërsa edhe në samit të BE-së të mërkurën, gjithashtu, në agjendë është diskutimi për të ashtuquajturën strategji dalëse nga COVID -19.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.