A ndërlidhet dorëheqja e Jack Smithit me skandalin e fundit të Speciales? Flasin avokatët

Dy ditë më parë, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, publikoi një skandal në Gjykatën Speciale, duke shpërfaqur kështu se si disa dëshmitarë të rrejshëm kanë dhënë deklarata të rrejshme në Speciale kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Nga ky person, dëshmitar i cili është i lidhur me Shërbimin Sekret Serb, pretendohej se ish-liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ishin përgjegjës për rrjedhën e dokumenteve për të cilat janë gjykuar dhe dënuar krerët e veteranëve të luftës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Ky skandal i publikuar ngjalli reagime të shumta në Kosovë, duke bërë kështu që shumë figura të politikës e edhe të shoqërisë civile të kritikojnë ashpër Specialen, madje edhe duke kërkuar hetim të veçantë rreth këtij rasti.

Pikërisht për këtë çështje dhe mundësisë që edhe dorëheqja e ish kryeprokurorit të Speciales Jack Smith ka ardhur për shkak të këtij skandali, lajmi.net ka kontaktuar me avokatët Taulant Hodaj dhe Skender Musa.

Hodaj në prononcimin e tij vlerësoi se dorëheqja e Smith nuk ka të bëjë me skandalin e lartpërmendur, porse kjo mund të konsiderohet shkelje e rregullave dhe procedurave.

“Jo nuk mendoj kjo që ka lidhje me dorëheqjen e Smith-it, sepse kjo çështje që ka dalë dje në publik në lidhje me këta ndërmjetësuesit që kanë bashkëpunuar prokuroria Speciale është më e mëhershme edhe para disa muajve dhe viteve, dhe tani veç ka dalë në publik me një shkresë të redaktuar të mbrojtjes. Por është një çështje që besoj që mbrojtja e ka vlerësuar në mënyrë të duhur dhe mund të konsiderohet që është një shkelje e rregullave dhe procedurave nëse veç këto prova i ka pas prokuroria dhe në të njëjtën kohë nuk ia ka dhanë mbrojtjes deri më tani”, ka thënë Hodaj.

Në anën tjetër, avokati Musa, theksoi se ai beson që numri më i madh i këtyre dëshmitarëve janë të rrejshëm që përgatiten nga sigurimi i Serbisë dhe se, ky rast patjetër që është skandal.

“Sa i përket dëshmitarëve të rrejshëm dhe provave të cilat janë të fabrikuara nga Serbia, atë e kam potencuar vazhdimisht dhe besoj fuqishëm se numri më i madh i këtyre dëshmitarëve, janë dëshmitarë të rrejshëm dhe dëshmitarë që përgatiten nga sigurimi i Serbisë dhe, organet e hetuesisë, duke filluar prej hetuesve të policisë, prokurorisë dhe organeve tjera. Dhe kjo do të dëshmohet edhe në vazhdimësi edhe me dëshmitarë të tjerë, jo vetëm që i ka potencu mbrojtja. Ky pa dyshim që, kjo është një lloj skandali dhe vetë Gjykata Speciale dhe Këshilli i Evropës duhet ta ketë të qartë se Serbia është profesioniste për manipulimin e rasteve gjatë historisë së re, por edhe në kohën e Millosheviqit. Në aspektin e drejtësisë dhe të hetimeve nuk shoh asnjë ndryshim që ka ndodh në mes regjimit të Millosheviqit dhe regjimit të Aleksander Vuçiqit. Sa i përket drejtësisë dhe armiqësisë së madhe dhe urrejtjes që kanë ndaj popullit të Kosovës dhe qytetarëve jo serbë në Republikën e Kosovës.”

Tutje, avokati ritheksoi edhe një herë që kjo përbenë një skandal pasi që, siç ka potencuar ai, prokuroria është e obliguar t’i hetojë të gjitha provat në mënyrë të njëanshme dhe të drejtë.

“Padyshim që ky është një skandal i madh, një skandal i madh që hetuesit dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara kanë lejuar të bien pre e manipulimit të organeve të Serbisë të cilat janë më profesionale për manipulimin dhe fabrikimin e provave për dëshmitarë të rrejshëm. Është skandal sepse hetuesit dhe prokuroria janë të obliguara t’i hetojnë të gjitha provat në mënyrë të paanshme dhe në mënyrë të drejtë, para se të dalin në vendim që të pranojnë prova nga një vend i tretë, ashtu siç thuhet në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe ta kenë parasysh situatën që Serbia dhe Kosova kanë qenë në luftë dhe armiqësia mes këtyre dy vendeve nuk ka pushuar. Madje retorika nacionaliste e Serbisë duke përfshirë edhe organet e drejtësisë kundër qytetarëve të Kosovës është jashtëzakonisht e madhe”, ka vijuar në deklaratën e tij Musa.

Sa i përket dorëheqjes se Smith, ai tha se, nuk mund të spekulojë nëse lidhet me këtë rast apo jo, por që skandali e dëmton rëndë imazhin e Gjykatës Speciale.

“Sa i përket dorëheqjes së Kryeprokurorit nuk mund të spekuloj nëse lidhet me këtë rast apo jo, por pa dyshim që ky është një lloj skandali që e dëmton rëndë imazhin e Prokurorisë pranë Dhomave të Specializuara, pra edhe të vetë Gjykatë të Dhomave të Specializuara, apo siç jemi mësuar ta quajmë Gjykata Speciale”, ka përfunduar Musa.

Duhet kujtuar se përveç avokatëve, kanë ardhur edhe reagime të tjera si ajo e kryetarit të Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqajt, njohësit të çështjeve politike Ismail Tasholli dhe ish-ministri britanik për Evropë, Denis Mac Shane.

Molliqaj në reagimin e tij ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mos reagim, duke thënë se kjo e fundit nuk lë gur pa lëvizur në Kosovë duke i luftuar gjykatat në Kosovë, kurse kur bëhet fjalë për Gjykatën Speciale, e ruan pavarësinë e gjyqësorit.

“Kosova e “shlirë” nuk e mbron UÇK-në. Nuk e mbron edhe kur të drejtat e njeriut shkelen. Është mjaftuar, e shijon lirinë. Gjykata Speciale si strukturë është e mundur vetëm në boshllëkun që krijohet nga mungesa e shtetit. Kështu është historiku i saj. Por, politika nuk e duron boshllëkun. Ai do të mbushet, materiali do të gjendet. Kosova nuk i mbron njerëzit e saj. Ky boshllëk po mbushet me materiale të fabrikuara. Qeveria nuk lë gur pa lëvizur tu i luftu Gjykatat këtu. Kur jemi të Specialja, na e ruan pavarësinë e gjyqësorit”, ka thënë ndër tjerash Molliqaj.

Ndërsa Tasholli rreth këtij skandali ka kërkuar hetim special.

“Jo veç një dëshmitar i rrejshëm, por një rrjet i tërë në skandalin e zbuluar të Speciales” – na u tha dje nëpër media. Specialja ka nevojë për një HETIM special, masi e ka marrë drejtësinë, KAQ PA NDERSHËM, veç në duart e veta”, ka deklaruar Tasholli.

Sa i përket ish-ministrit britanik për Evropë, Denis Mac Shane, ai ka kërkuar që ky rast të hetohet nga amerikanët.

“Do të ishte mirë nëse New York Times do të hulumtonte në këtë”, ka shkruar Mac Shane, postim në të cilin ka etiketuar redaktorët e gazetës prestigjoze amerikane.

Pos këtyre, duhet shtuar se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim në Hagë tashmë për dy vite.

Go to TOP