SHËNDETËSIA

A mund të ndihmojë meditimi që të bëni më pak gabime

Në kuadër të hulumtimit rezultatet e të cilit janë publikuar në revistën “Brain Sciences”, është studiuar se si meditimi i përqendruar në vetëdijen për ndjenjat, mendimet dhe ndjenjat, ndërsa ndodhin në mendje dhe trup, mund ta ndryshojë aktivitetin e trurit në mënyra që sugjerojnë njohje të zgjeruar të gabimeve, shkruan sot Koha Ditore.

“Interesimi i njerëzve për meditim dhe vetëdijesim shkon përtej asaj që shkenca mund ta dëshmojë në kuptimin e efekteve dhe përfitimeve të meditimit”, thotë Jeff Lin nga Universiteti i Michiganit dhe bashkautor i studimit.

“Por për mua ishte e mahnitshme që mundëm të shihnim se si një seancë e meditimit mund të prodhojë ndryshime në aktivitetin e trurit tek personat të cilët përndryshe meditojnë”.

Zbulimi sugjeron që forma të ndryshme të meditimit mund të kenë efekte të ndryshme neurokognitive, ndërsa Lin shpjegon se ka pak hulumtime se si meditimet ndikojnë në aftësinë për t’i njohur gabimet.

“Në disa forma të meditimit përqendroheni në një gjë, zakonisht frymëmarrjen tuaj, por meditimi i vëzhgimit të hapur është pak më ndryshe”, thotë Lin.

“Ai na udhëheq t’i kthehemi brendësisë dhe t’i kushtojmë vëmendje gjithçkaje që ndodh në trupin dhe mendjen tonë. Qëllimi është të qëndrojmë ulur dhe të vëzhgojmë me kujdes se si mendja udhëton, pa i kushtuar vëmendje mjedisit”.

Lin dhe ekipi i tij i mblodhën më shumë se 200 të anketuar për të studiuar se si meditimi i vëzhgimit të hapur ndikon në mënyrën se si njerëzit i perceptojnë dhe reagojnë ndaj gabimeve. Të anketuarit që nuk kishin medituar kurrë më parë u udhëzuan përmes një ushtrimi meditues 20-minutësh, ndërsa shkencëtarët e matën aktivitetin e trurit me elektroencefalograf ose EEG dhe më pas e plotësuan një test kompjuterik të dizajnuar për ta testuar reagimin ndaj shpërqendrimit.

“EEG mund ta matë aktivitetin e trurit në nivelin e milisekondës, kështu që kemi matje precize të aktivitetit nervor menjëherë pas gabimeve, dhe mund t’i krahasojmë ato me aktivitete që kanë të bëjnë me përgjigje të sakta”, thotë Lin, duke shtuar se dallimi i sinjalit, i cili e tregon njohjen e gabimit ishte më i madh në grupin që meditoi kundrejt grupit të kontrollit.