OPINION

A mund të bashkekzistojnë injoranca dhe demokracia?

Autor: RINOR GJERGJI

Demokracia, në rrafshin global, momentalisht është duke u ballafaquar me shumë sfida.
Edhe pse mbetet sistem i preferuar për shumicën e shteteve të botës, nuk është i vogël numri i njerëzve që kanë pasur rezerva ndaj demokracisë.
Duke filluar nga filozofët antikë grekë e deri te Nietzsche, demokracia ka qenë në qendër të kritikave për arsye të ndryshme.

Pothuajse çdo njeri në botë e di, ose të paktën duhet ta dijë, kuptimin e fjalës demokraci dhe origjinën e saj nga gjuha greke.
Meqenëse demokracia nënkupton sundimin e popullit, me të drejtë parashtrohet pyetja: Sa është i gatshëm populli për të qeverisur?

Në një kohë ku libri neglizhohet çdo ditë e më shumë, është risk i madh të lejosh masën e gjerë të popullit të vendosë për fatin e të gjithëve. Kjo pasi që shumica e popullit, pothuajse në çdo vend të botës, nuk është shumicë intelektuale, por, është shumicë, e cila në masë të madhe përbëhet nga injorantët.

Injoranca dhe demokracia nuk mund të ekzistojnë pa qenë të ndara nga njëra-tjetra. Njerëzit injorantë nuk kanë aftësi për të gjykuar drejt e as për të menduar në frymë racionale. Në këtë gjendje, ata bëhen viktimë e preferuar e politikanëve, të cilët i manipulojnë ata me lehtësi, duke shfrytëzuar boshllëkun që krijohet nga injoranca e tyre, për të realizuar synimin e vet, që është marrja e pushtetit. Kështu injorantët mashtrohen dhe pa e vënë re bien pre e premtimeve të parealizueshme të politikanëve dhe njësoj si peshku, që vrapon pas karremit e në fund përfundon në rrjetën e peshkatarit, edhe njerëzit e tillë përfundojnë në rrjetën e politikanëve.

Andaj, për të ekzistuar demokracia e vërtetë, duhet t’i kushtohet vëmendje e madhe edukimit – si armë për luftimin e injorancës. Në shoqëri ku shumica janë injorantë, nuk mund të flitet për demokraci. Ajo është vetëm në letër, kurse në realitet kemi të bëjmë me oligarki sepse klasa politike, që vjen në pushtet nga votat e injorantëve, interesohet vetëm për interesin personal e jo edhe për interesin e përgjithshëm të qytetarëve.

Fatkeqësisht, klasa politike nuk do të mendojë asnjëherë për votuesit, por vetëm për votat. Kjo është edhe arsyeja përse qytetarët vizitohen aq shumë gjatë fushatave, kurse pas formimit të qeverisë, ata ngelin pasivë përgjatë tërë mandatit dhe injorohen tërësisht nga qeveritarët. Por, injorantët nuk e kuptojnë injorimin, prandaj ata nuk ankohen.
Meqenëse, prapë themi se është duke qeverisur shumica e popullit, ne atëherë kemi IGNO(C)RATIA = sundim të injorantëve.

Vota e injorantit është shumë e rrezikshme dhe mund të rezultojë jashtëzakonisht e dëmshme për çështje të ndryshme. Fundja, si mund të prisni nga një injorant që të marrë vendimin e duhur? Po të dinte të merrte vendime të duhura, ai do kishte marrë me kohë vendimin për të mos qenë injorant. Por, fakti që është i tillë, dëshmon që ai nuk ia thotë fare kur vjen puna te çështja e marrjes së vendimeve. Një person i tillë, që s’merr dot vendime të duhura për veten e tij, si mund të marrë vendime të duhura për shtetin?
-Ai (injoranti), me votën e tij, legjitimon një pushtet, i cili nuk jep përgjegjësi për arsye se s’ka kujt t’i japë, kur ata që e kanë votuar, as nuk e dinë përse e kanë votuar e as nuk e dinë çfarë (duhet të) kërkojnë nga ai pushtet.
Një votë në dorën e injorantit është sikur një armë në dorën e diktatorit.
Si njëra, si tjetra, mund të përdoren për mirë dhe për keq. Kjo varet nga përdoruesi. Por, ju nuk mund të prisni që një diktator ta përdorë armën e tij për të bërë mirë, ashtu siç nuk mund të prisni nga një injorant ta përdorë të drejtën e votës për të marrë një vendim racional.

Nuk duhet të dini atë që bëni, duhet të bëni atë që dini!” – thoshte Tony Robbins. Por, ne jemi duke i inkurajuar injorantët që të bëjnë atë që nuk dinë. Në qoftë se nuk mund ta eliminojmë injorancën, atëherë ta eliminojmë demokracinë!
-Demokracia s’është për injorantët.