Kosova

A ka të tjerë të infektuar me koronavirus në Podujevë?

Në Komunën e Podujevës nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar për koronavirus në 24 orët e fundit. I infektuari i fundit nga kjo komunë është një i ardhur nga Italia, para dy javësh.

Në një prononcim për Express, specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent ka thënë se gjendja e tij është e mirë, derisa thotë se anëtarët e tjerë të familjes nuk kanë simptoma.

Sipas saj, në 24 orët e fundit nuk është paraqitur asnjë rast i dyshuar për COVID-19.

“Nuk kemi ndonjë rast të ri. Rasti i fundit me të infektuar nga kjo komunë është më 28 mars. I infektuari është anëtari i një familje që është kthyer para dy javësh nga Italia. Gjendja e tij është e mirë dhe ka simptoma të lehta. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me familjet dhe i vizitojmë çdo ditë, por nuk kanë ndonjë simptomë anëtarët e tjerë. Mostra të reja nuk kemi dërguar”, ka thënë Rama.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus. Deri tani, në gjithë vendin janë konfirmuar 94 raste.

“Sot më 29.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 45 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, tre prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë”, thuhet në njoftim./Gazeta Express