EKONOMI

A janë rritur çmimet e prodhimeve bujqësore?

Çmimet e prodhimeve bujqësore, Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kanë shënuar rritje – shkruan Kosova.info

Së fundi, ASK-ja ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e dytë të këtij viti. Thotë se ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostat-it.

Në tremujorin e dytë të vitit 2020, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 7.89%, kurse indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 7.25%, krahasuar me periudhën e njëjtë (TM2) të vitit 2019.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 7.69%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

“Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula.

Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.

Siç njofton ASK-ja, në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483