A iu regjistrua prona Manastirit, Kurti: Për çështje teknike ju tregojmë sapo t’na njoftojë Kadastri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nëse është kryer gjithçka sa u përket tokave rreth Manastirit të Deçanit.

“Ka pasur mospërputhje teknike, të cilat janë adresuar të gjitha nga Agjencia Kadastrale. Aty janë parcelat me numra, janë emërtimet e veçanta..”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Kurti tha se do të njoftojë për çështjet teknik kur të ketë një njoftim nga Kadastri, derisa shtoi se kjo duhet të përfundojë tani.

“Shikoni, me sa di unë, është kryer gjithçka. Por, për këto çështje teknike, besoj që do të ju njoftojmë atëherë kur ta kemi një njoftim nga Kadastri. Dhe kjo duhet të përfundojë tani meqenëse Dora Bakoyanis është ajo që duhet ta dorëzojë raportin te Komiteti”, tha kryeministri Kurti.

Kurti tha se këtë javë raportuesja Dora Bakoyanis do ta dorëzojë raportin e në mes të muajit prill të kalojë te Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që në fund të muajit maj, Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota.

Kryeministri Kurti tha se ky do të jetë moment historik.

“Ne jemi njoftuar që nga tri parakushte që thuhej se do të mund të ishin, në fakt ekziston vetëm një. Dhe, kjo ka ndodhur pas një vizite që kanë pasur kryeparlamentari [Glauk] Konjufca me zëvendësministrin e Jashtëm [Kreshnik] Ahmeti dhe takimeve dhe komunikimeve që i ka zhvilluar zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla. Pra, vetëm një parakusht. Por, kjo përputhet edhe me raportin e juristëve eminentë. Kjo ka qenë që të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për ata 24 hektarë, që janë në kuadër të zonës së veçantë te Manastiri i Deçanit. Ka pasur tendenca që të ketë edhe parakushte të tjera, por ka vetëm një parakusht. Nga pikëpamja jonë, kjo çështje është mbyllur. Në këtë javë, do të duhej që raportuesja Dora Bakoyanis ta dorëzojë raportin e saj në Komitet, të kalojë në Komitet, në mes të muajit prill të kalojmë edhe tek Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Ndërkaq, në fund të muajit maj, edhe të bëhemi anëtarë me të drejta të plota. Dhe unë mendoj se është moment i jashtëzakonshëm historik dhe gjeopolitik. Federata Ruse jashtë, Republika e Kosovës anëtarësohet.

Go to TOP