Rajoni

A i frikësohet BE mungesës së vullnetit për dialogun Kosovë-Serbi nga qeveria e ardhshme? Kështu përgjigjet Borrell

Përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, Joseph Borrell dhe komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin, Oliver Varhelyi kanë publikuar një deklaratë për zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Në deklaratën e përbashkët, Borrell dhe Varhelyi shprehin gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në rrugën e reformave të integrimit të saj europian dhe komunikojnë pritshmëritë për qeverinë e re të Kosovës.

Ndër pritshmëritë, fokusi vihet te angazhimi konstruktiv për dialogun me Serbinë me synim vazhdimin e takimeve në këtë kuadër për arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse.

Pyetjes së “ABC News” nëse Joseph Borrell i frikësohet mungesës së vullnetit nga qeveria që pritet të formohet në Kosovë për të vazhduar dialogun Prishtinë-Beograd, zëdhënësi Peter Stano i është përgjigjur si vijon:

“Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme Borrell dhe komisioneri Varhelyi kanë formuluar qartë në deklaratën e tyre reagimin mbi zhvillimin e votimit në Kosovë dhe gatishmërisë sonë për të ndihmuar Kosovën dhe qeverinë re për agjendën e reformave. Ne kemi nënvizuar gjithashtu pritshmëritë kur bëhet fjalë për avancimin në reformat e integrimit europian, të bashkëpunimit rajonal dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Lidhur me procesin zgjedhor, ne nuk do të shkojmë përtej kësaj deklarate, pasi faza pas zgjedhore është në vijim e sipër”, u shpreh zëdhënësi i KE-së Peter Stano.

Misioni i ekspertëve elektoralë të Bashkimit Evropian në Kosovë do të ndjekë procedurat post-elektorale dhe do të përpilojnë rekomandime lidhur me procesin zgjedhor në Kosovë.