Kombëtare

A është e rrezikuar siguria e Shqipërisë nga Irani

Me një ceremoni solemne në Vjenë, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Shqipëria nisi zyrtarisht  të enjten (9.01.2020) Presidencën e OSBE, 2020.

Fillimi zyrtar i presidencës shqiptare të organizatës më të madhe në botë për siguri dhe bashkëpunim ndodh në kohëra jo të qeta. Konflikti mes SHBA dhe Iranit ka ngjallur shqetësim në 57 vendet anëtare të OSBE, siguria e të cilave  është e ndërlidhur  me situatën në Lindjen e Mesme.

Burime zyrtare nga Kryeministria në Tiranë bëjnë me dije se Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama, njëherazi drejtues i Presidencës shqiptare të OSBE-së,  në fjalën e tij, të enjten në Vienë ka sjellë në vëmendje mundësitë që ka OSBE për të forcuar sigurinë dhe bashkëpunimin, në situatat aktuale. Fjala kyçe e Presidencës shqiptare të OSBE 2020 do të jetë dialogu, deklaroi Rama.

“Shumë prej mundësive tona vijnë përtej shtrirjes së OSBE, na duhet të forcojmë platformat e dialogut me vendet aziatike për bashkëpunim. Situata aktuale në brigjet jugore është e ndërlidhur me sigurinë  e vendeve tona” theksoi kryeministri Rama.

Shqipëria e përfshirë indirekt në konfliktin SHBA- Iran

Forcimi i sigurisë në vendet anëtare të OSBE përbën një nga shtyllat kryesore të programit të Presidencës Shqiptare OSBE, 2020. Vetë siguria e Shqipërisë shfaqet  potencialisht  jo e pacenueshme në kuadrin e konfliktit  SHBA – Iran. Komuniteti i 3200 muxhahedinëve, të strehuar në periferi të Tiranës, armiq të betuar të qeverisë iraniane është një faktor potencial që e përfshin Shqipërinë jo drejtpërsëdrejti  në këtë konflikt. Kjo u duk qartë kur vetë lideri suprem i  Iranit, Ajatollah Khomeini në fjalën e mbajtur të mërkurën, (8.01.2020) pas lëshimit të raketave iraniane në bazat ushtarake amerikane në Irak e quajti Shqipërinë, “një vend shumë të vogël, por shumë të keq evropian, ku amerikanët bashkëpunojnë me tradhtarët e Iranit kundër Republikës Islamike”.

Por strehimin e 3200 muxhahedinëve në Shqipëri kryeministri Rama e vlerësoi „një veprim që i bën nder Shqipërisë dhe është në vazhdën e traditës shqiptare.” „Kemi marrë përsipër një risk që të strehojmë 3 mijë muxhahedinë. Jam shumë krenar që ky risk është marrë në mënyrë bipartizane. Politika shqiptare ka bërë këtë hap me një bindje të unifikuar në funksion të një aleance strategjike të padiskutueshme me SHBA, Kjo nuk ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë” tha Rama në Vjenë.

Ai solli në vëmendje Artikullin 5 të NATO -s, thelbi i të cilit është se sulmi ndaj një anëtari të NATO -s është sulm ndaj gjithë Aleancës Atlantike.  “Jemi në duar të sigurta. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe çdo sulm mbi vendin tonë është sulm mbi NATO-n” theksoi Rama.

Shqipëria – Vigjilencë ndaj sulmeve kibernetike iraniane

Tentiva e Iranit për të cenuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë është e provuar  tanimë. Në dhjetor 2018 qeveria Rama shpalli „persona non  grata” ambasadorin e Iranit në Tiranë dhe e dëboi atë bashkë me një diplomat tjetër të ambasadës iraniane në Shqipëri për shkak „të tentimit të sulmeve terroriste në  Shqipëri”, veprim që u përgëzua nga SHBA.

Shfaq më shumë
//nessainy.net/4/3473483