SHËNDETËSIA

A e tregojnë shifrat historinë e vërtetë të pandemisë së koronavirusit?

Shifrat janë të frikshme. Në të gjithë globin, numri i rasteve të raportuara si të konfirmuara me koronavirus është më i lartë se një ditë më parë.

Që nga 2 prilli, numri ka arritur në më shumë se 930,000, sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins.

Por, çfarë nëse shifra e vërtetë është më e lartë?

Ekspertët thonë se të dhënat na japin një portret jo të plotë të problemit. Arsyeja? Testimi, ose mungesa e tij, është një nga arsyet kryesore që shkalla e vërtetë e pandemisë nuk dihet. Kjo mund të mos jetë faji i qeverive. Shumë persona të infektuar nuk shfaqin simptoma dhe kështu nuk janë kandidatë për testim.

Por, mund të ketë probleme të tjera me të dhënat; përkatësisht, disa qeveri mund të jenë duke i shtrembëruar të dhënat për të zvogëluar shkallën e problemit në vendet e tyre përkatëse.

Mediat amerikane raportuan më 1 prill që zyrtarët amerikanë besojnë se Kina ka fshehur shtrirjen e shpërthimit të koronavirusit. Zyrtarët i quanin të rreme shifrat e raportuara nga Kina.

Njëjtë si Kina, Irani është goditur shumë nga pandemia e koronavirusit. Si Pekini edhe Teherani dyshohet gjithashtu se ka deformuar shifrat e të prekurve për të shtrembëruar situatën atje.

Pyetje janë ngritur gjithashtu edhe për numrin relativisht të vogël të personave të infektuar në Rusi.

Derisa, disa qeveri minimizojnë problemin e tyre, ato mund të jenë prapa përpjekjeve për të rritur shkallën e pandemisë diku tjetër.

Në Bashkimin Evropian, një grup gjurmues i lajmeve të rreme tha më 1 prill se burime të ndryshme pro-Kremlinit po promovojnë në rrejte sociale një narrativë se BE-ja nuk po arrin të merret me pandeminë dhe se është në prag të kolapsit.

Rastet e konfirmuara? Rezultat i testimit

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sa më shumë testime që kryen, aq më shumë ka mundësi që shtetet të jenë në gjendje të frenojnë pandeminë.

Të dhënat nga Shtetet e Bashkuara tregojnë numrin e rasteve të konfirmuara me koronavirus që rriten ndjeshëm pasi testimi është përmirësuar.

Por, a do të thotë kjo që infeksionet po rriten? Jo domosdoshmërish. Ekspertët thonë se më shumë testime mund të shpjegojnë, të paktën pjesërisht, numrin më të lartë të rasteve të infektuara.

Siç raporti revista “Atlantic” në një artikull të botuar më 26 mars:

“A po përjeton ShBA-ja tani një rritje të shpejtë në rastet e koronavirusit, apo rritje të shpejtë në testimin e koronavirusit, apo të dyjave? Përgjigja duket e njohur: Ne nuk dimë ende dhe do të kalojë kohë para se ta kuptojmë”.

Përderisa Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar testimet, India ka vendosur të ndërmarrë një zgjidhje tjetër.

Nju Dehli ka refuzuar të zgjerojë testimin e koronavirusit, pavarësisht kritikave që testimi i kufizuar mund t’i linte rastet e infektuara me COVID-19 të pazbuluara, në shtetin e dytë me më së shumti popullsi në botë.

Siç raportoi Al-Jazeera më 18 mars, zyrtarët indianë kanë thënë se udhëzimi i OBSh-së për më shumë testime nuk është i zbatueshëm në Indi sepse përhapja e virusit ishte më e ngadaltë sesa në shtetet e tjera.

Balaram Bharghava, i cili kryeson Këshillin indian të Kërkimeve Mjekësore, tha se rritja e numrit të testimeve do të krijonte vetëm “më shumë frikë, më shumë paranojë dhe më shumë hipnotizim”.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, që nga 3 prilli, India, një vend me afro 1,4 miliard njerëz, kishte pak më shumë se 2,500 raste të raportuara me koronavirus si dhe 72 vdekje.

Transmetuesit e heshtur

Por, edhe nëse qeveritë kanë mjete dhe janë të përkushtuara për të kryer testime, jo gjithmonë mund të jetë e qartë se kë duhet testuar. Kjo sepse jo të gjithë të prekurit me koronavirusin e ri reagojnë njësoj.

Kryehigjenistja e Republikës Çeke, Jarmila Razova, u tha mediave më 2 pill se deri në 40 për qind të njerëzve të infektuar me koronavirus mund të mos tregojnë fare simptoma.

Këta të ashtuquajtur “transmetues të heshtur”, ekziston rreziku se po ushqejnë pandeminë e koronavirusit.

“Transmetimi vjedhurazi” nuk është vetëm i vërtetë, por një “shtytës kryesor” i epidemisë, tha studiuesi i sëmundjeve infektive pranë Universitetit Columbia, Jeffrey Shaman, i cili drejtoi një studim të botuar më 16 mars në revistën “Science”. Kontributi i tij mbi përhapjen e virusit “në thelb, mbetet i pazbuluar, dhe po fluturon poshtë radarit”.

Por, edhe kur të dhënat mund të jenë sa më afër që të jetë e mundur për të dhënë një pamje të vërtetë të problemit të koronavirusit, disa qeveri mund të zgjedhin ta shtrembërojnë atë.

Kina, ‘Shifra të rreme’?

Sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins, Kina si vendi ku shpërthimi i koronavirusit filloi në fund të dhjetorit, ka raportuar vetëm rreth 82,000 raste dhe 3,300 vdekje deri më 3 prill.

Për krahasim, Shtetet e Bashkuara kanë raportuar më shumë se 245,000 raste dhe më shumë se 6,000 vdekje deri më 3 prill.

Dyshimet se shifrat e ofruara nga Kina nuk janë të sakta, janë nxitur pjesërisht edhe nga numri i madh i qytetarëve jashtë një krematoriumi, afër varrezave në provincën Hubei ku u zbulua për herë të parë koronavirusi.

Inteligjenca amerikane përfundoi në një raport të klasifikuar që iu dorëzua Shtëpisë së Bardhë në të cilin thuhet se Kina mbulonte shtrirjen e vërtetë të shpërthimit të koronavirusit, thanë zyrtarët më 1 prill.Zyrtarët e amerikanë nuk pranuan të zbulojnë detaje të raportit pasi ai është sekret, por sipas një raportimi të Bloomberg, thuhet se “Raportimi i Kinës për rastet e vdekjeve është qëllimisht i jo i plotë”.

Irani raporton shifra më të ulëta?!

Në Lindjen e Mesme, asnjë vend nuk është goditur më shumë se Irani. Republika Islamike ka raportuar rreth 47, 500 raste dhe më shumë se 3,000 vdekje, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Sidoqoftë, shumë dyshojnë se numri i raportuar nga Irani, i njohur për censurimin dhe mungesën e transparencës, është i ulët.

Që nga fillimi i krizës, anëtarë të parlamentit dhe zyrtarë lokalë, në disa nga qendrat kryesore të prekura nga koronavirusi kanë thënë se numri i vërtetë i të vdekurve dhe të infektuarve po nënvlerësohet rëndë nga regjimi klerik që sundon Iranin.

Imazhet satelitore nga mesi i muajit mars, dukej se tregonin varreza masive që gërmoheshin në zonën përreth qytetit Qom, ku besohet se kishte filluar shpërthimi i koronavirusit.

Pajisja e gabuar e testimit rus?

Më një popullsi prej mbi 144 milionë banorësh, Rusia ka raportuar rreth 3,500 raste të konfirmuara dhe vetëm 30 vdekje, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins.

Derisa Rusia është lavdëruar për kryerjen e testimeve në fillim dhe në një shkallë relativisht të madhe, disa ekspertë thonë se numrat e ulët mund të shpjegohen pjesërisht nga pajisja e testimit që është zhvilluar nga një laborator i financuar nga shteti, në qytetin siberian të Novosibirsk.

Një blog rus i shkencës i quajtur “PCR News”, i cili tha se kishte rishikuar protokollet specifike të testit të laboratorit, tha se testi zbulon virusin vetëm nëse ai është mbi një prag të caktuar në një mostër.

Testi gjithashtu rezultoi se jep numër më të lartë të rezultateve pozitive të pasakta.

Më 23 mars, Task-Forca e Moskës për koronavirusin tha që protokolli i testimit do të ndryshohej, por është e paqartë nëse këto ndryshime do të mundin pretendimet e skeptikëve.

Brenda vetë Rusisë, Kremlini ka lëvizur drejt mbylljes së kritikuesve, duke i akuzuar ata për përhapjen e dezinformatave në rrjete sociale.

Në fillim të marsit, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë dhe Mbikëqyrësi i Internetit morën veprime për të hequr një postim që u bë viral, duke pretenduar se numri i vërtetë i rasteve të koronavirusit kishte arritur në 20,000 dhe se qeveria ruse po e mbulonte atë.

Menjëherë pas kësaj lëvizjeje, përdoruesit e Facebook-ut dhe Instagram-it në Rusi filluan të shohin alarmet e ndërgjegjësimit për koronavirusin, që lidheshin me faqen zyrtare të “Rospotrebnadzor”.

Përhapja e dezinformatave jashtë vendit?

Ndërsa Kremlini ka qenë i shpejtë për të minimizuar krizën në Rusi, duket se mezi pret ta promovojë atë jashtë saj.

Në një analize të publikuar më 1 prill, Task-Forca e BE-së, East StartCom, “pretendon se shpërbërja e Bashkimi Evropian përballë COVID-19 është temë dominuese në rrjetet sociale, në të gjitha regjionet e analizuara”, duke përfshirë vendet anëtare të BE-së dhe Evropës Lindore.

Gjithashtu u tha se mediumi “RT” dhe “Sputnik”, media këto të financuar nga Kremlini, ishin duke promovuar teoritë e komplotit se virusi ishte krijuar nga njeriu ose u përhap qëllimshëm, ndërsa portretizonte Rusinë dhe Kinën si “fuqitë kryesore”. /rel/