Kosova

A e keqpërdori Duda Balje pozitën e saj zyrtare, duke iu bërë presion gazetarëve të Kosova.info-s?

Duda Balje, deputete nga radhët e komunitetit boshnjak, njëkohësisht Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare, duke i bërë presion Agjencisë së Pavarur të Lajmeve Kosova.info

Shkelja flagrante e saj, do të dokumentohen në vijim. Korrespondenca zyrtare që mediumi ynë e ka mbajtur me të, e dëshmon këtë më së miri. Sapo gazetarët tanë kanë filluar ta hulumtojnë rastin rreth konfliktit të interesit, që çuditërisht ndërlidhej me emrin e saj, ajo e ka filluar presionin dhe linçimin publik ndaj nesh. Qëkur gazetarët dyshuan që ajo vet të ketë qenë themeluese e një OJQ-je, ndërkohë që ka qenë edhe deputete në Parlamentin e Republikës së Kosovës, kanë filluar shkëmbimet e letrave.

Pyetjeve të gazetarëve tanë në lidhje me rastin në fjalë (konfliktit të interesit), ajo nuk iu ka përgjigjur asnjëherë. Për më tepër, ajo i ka bërë presion redaksisë, ndërsa e ka shfrytëzuar një artikull nga rubrika jonë rozë të publikuar nga ana jonë, duke e nxjerr nga konteksti, ndërsa e ka luajtur rolin e viktimës dhe duke e cilësuar portalin tonë si jo-profesional.

Përkundër që artikuj të tillë nga rubrika rozë, ku emri i saj formon togfjalëshin: deputetja seksi; kontaminon mediat elektronike, rrjetet sociale, e veçmas portalet vendore me bollëk, duhet të theksojmë se artikulli ynë në fjalë, nuk ka pasur të bëjë asgjë me fizikun e saj.

“Nuk është faji im që jam kaq seksi, s’mundem me ndryshu” – citohet të ketë thënë ajo përgjatë një interviste, duke iu referuar fizikut të saj të bujshëm. Pra artikuj të shumtë të kësaj natyre, qarkullojnë gjithandej nëpër faqe të ndryshme të internetit, nuk kanë qenë objektiv i Kosova.info-s në këtë rast.

Duda Balje, përveç që nuk iu është përgjigjur pyetjeve tona në lidhje me rastin e dyshuar për konflikt interesi, ajo e ka shfrytëzuar pozitën e saj si Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, duke e ftuar redaksinë e portalit, bashkë me gazetarët investigativ, për siç e thotë ftesa zyrtare: Për të diskutuar në temën: “Gratë në media, etika dhe profesionalizmi”. Me këtë rast deputetja Balje ka pretenduar se mediumi ynë e ka shkelur etikën e gazetarisë. Por ftesa e dërguar për datën: 06. 07. 2020 – është anuluar nga një e-mail pasues ku njoftohemi: “Lidhur me njoftimin e datës 6 korrik 2020, kërkojmë falje ngase nuk kemi pasur asnjë lloj informacioni për letrën e kryetares”.

Gazetari ynë investigativ ka javë të tëra që i pret përgjigjet nga ajo në lidhje me rastin e konfliktit të interesit. Për të gjitha këto, ajo e ka dhënë vetëm një përgjigje kërcënuese: “Se ju duhet të kërkoni falje publike, dhe avokati im do të merret me ju sapo ta publikoni shkrimin”, duke mos dhënë përgjigje në pyetjet që ia kemi dërguar. Për këtë çështje ne kemi raportuar edhe në AGK, por asociacioni nuk ka reaguar.

Si redaksi, konsiderojmë që akuzat e saj “për gazetari joprofesionale”, shkelje të etikës së gazetarisë dhe viktimizimit nën petkun e seksizmit, përveç që janë të pabaza, janë edhe një taktikë për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve që ia ka shtruar gazetari ynë. Për më shumë, dyshimet tona në lidhje me “konfliktin e interesit”, janë të bazuara në fakte konkrete. /Kosova.info/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483