Kosova

A do t’i shpallë Gjykata Speciale zgjedhjet e parakohshme në Kosovë?!

Kujt po i kruhet , kujt po i kruhet : Midis partnerëve të koalicionit qeverisës duket se më nuk ka dashuri , madje as dashuri të interesit që , sidomos viteve të fundit është bërë vulë e patriotizmit .

Pra , interesi material është bërë flamur mbi interesin kombëtar dhe shtetëror . Çështja e të bërit koalicion në Kosovë, as më parë nuk ishte ngritur mbi parime që vlejnë për shtetet demokratike prandaj edhe qeverisja ishte nën çdo parim apo qeverisje e ngritur mbi bazën e interesit material , partiak , grupor dhe nepotist .

Nëse sot e bëni një lexim të emrave që kanë bartur poste institucionele , atëherë aspak nuk duhet të habitemi për gjendjen në të cilën jemi .  Madje , punët i kemi shumë më mirë krahasuar me përkushtimin dhe profesionalizmin që na ka munguar , sidomos aty ku kërkohej. Është interesant fakti se sa ishim në vuajtje të dënimit në llogoret e ish – Jugosllavisë , asnjëherë nuk kemi diskutuar se duhet ta marrim pushtetin , t’i ndajmë postet apo jaranizmin ta bëjmë kriter të vetëm për punësim apo angazhim politik ndonëse disa prej nesh , pasi na e dhanë mundësinë , u treguam më grykës se vet ata që kishin qenë në pushtet në kohën e ish – Jugosllavisë.

Kjo ka ndikuar që asnjëherë nuk kemi arritur ta ndërtojmë një kurriz politik të mbështetur në dije , profesionalizëm dhe parime. Për më keq , i kemi eliminuar apo vendosur në margjina ata që tërë jetën e sakrifikuan për liri , çlirim  , çështje dhe bashkim kombëtar si rasti i Bacës Adem Demaçi apo edhe i komandantit Legjendar , Adem Jashari i cil ,i as përsëafërmi nuk vlerësohet për sakrificen e bërë . Prandaj , nuk mund të mbillni hitha e të korrni trëndafila .

Një trëndafil e ka Kosova , Ekaterina Trëndafilova kryetare e Gjykatës Speciale Njëetnike , Politike , dhe Raciste të  Bangladeshit  ( Kosovës ). Uroj që këtë shkrim të mos e lexoj ambasadori i kategorisë super të rëndë se , më mori lumi. Ishin pritje të mëdha për koailcionin LVV – LDK , madje edhe unë pata përkrahur këtë koalicion..

Thuaja se 50% e deputetëve të Kosovës ishin shqiptarë dhe , për herë të parë vendimarrja nuk kushtëzohej nga Lista Serbe ndërkaq që opozita premtoi se çdo marrëveshje apo ligj  që është në dobi të Kosovës , do ta votojë. Kur doni të bëheni me shtëpi vlenë një rregull; shtëpinë e parë e shitni kurse të dytën e mbani për vete.

Edhe Albin Kurti dhe LVV  besnikërisht iu përmbajtën këtij rregulli , qeverisjen e parë e abortuan me vetdëshirë kurse tani , me çdo kusht duan zgjedhje të reja me shpresë se do të qeverisin , madje edhe pa të tjerët sepse , sipas sondazheve ata do t’i kenë së paku 55 deputetë e që është vështirë për të besuar !

Po qejfi është më i madh se Stambolli ! Një ditë para zgjedhjeve të fundit , 100%  kam parashikuar  renditjen e subjekteve politike dhe se shkrimin e pata përfunduar se : “ Fituesi i këtyre zgjedhjeve do të jet humbësi më i madh …”. Doli pikërisht ashtu! Po të sillej LVV më mirë me LDK-në , sot do të qeverisnin bashkë , Albini do të ishte kryeminster dhe , pa asnjë dyshim më shumë se 50% e anëtarësisë së LDK-së do të ishin në anën e Vjosa Osmanit .

Me një sjellje joracionale , imponuese dhe diktatoriale , LVV dhe Albini e rrënuan koalicionin duke e lënë V josa Osmanin thuaja pa krahë apo me vetëm një krah , Haxhi Avdylin . Ndërkaq që dihet se me një krah , nuk mund të fluturohet ! LVV dhe LDK , me një mirëkuptim dhe respektim do të bënin punë të mira aq më parë që opozita kërcënohej me kryqëzim nga Juda i drejtësisë apo , siç e kanë karikatizuar Gjykatës Speciale , kryeprokurori Jack Smith .

Pata shkruar gjithashtu se në asnjë rrethanë , në kohë të pandemisë dhe me një arsyetim lëvyrës ( prishjes së miqësisë me Grenellin dhe Trumpin ) , nuk do ta kisha votuar mocionin për rrëzim të qeverisë Kurti. PDK e ka pasur një mundësi të jashtëzakonshme të profilizohet si parti opozitare dhe të reformohet në baza të shëndosha nëse nuk do të votonte mocionin për rrëzim të qeverisë Kurti. Nuk e bëri dhe gaboi !

Gjykata e Dick Marthy-t e jo KQZ , Ekaterina Trandafilova e jo Valdete Daka mund të organizojnë zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë :  Gjykata Speciale Njëetnike , politike dhe Raciste e nisi kryqëzimin e UÇK-së duke gozhduar , për fillim ish – krerët politikë , ushtarakë dhe policorë , për të bërë gati kryqe tjera edhe për së paku 300 të tjerë ( deri më tani ) që do të gozhdohen fizikisht ( të paraburgosur dhe të dënuar ) dhe moralisht ( duke i kushtëzuar të bëhen dëshmitarë , të mbrojtur e të cilët del se janë krejtësisht të pambrojtur ) . Të gjithë këta do ta kalojnë , fizikisht të gozhduar apo moralisht të gozhduar , Via Doloressa ( Rrugën e Dhimbjeve ) , nga Beogradi , deri në Hagë. Gjykata po imponon zgjedhje të reja dhe po del të jetë votuesi kryesorë në Kosovë. Kujt po i kruhet më së shumti për zgjedhje përveç Ekaterian Trandafiloves ?

  1. LVV -e dhe Albin Kurtit : LVV dhe Albin Kurti , që nga çasti kur morën në thua në Kuvendin e Kosovës me ndërskëmcat e LDK-së , PDK-së , AAK-së , Nismës , Pakicave dhe Grenellit asnjëherë më nuk e kanë dëgjuar Bob Marli-n por të vetmën këngë e kanë pasur : “ duam zgedhje …” . Kanë të drejtë për faktin se i fitojnë , pa asnjë problem zgjedhjet por nëse ata i fitojnë 55 deputetë , edhe unë do të shkoj të jetoj në Katmandu , kryeqytet i Nepalit dhe të bëhem mbret për faktin se po kanë shumë probleme . Pra , në këtë rast , Albini mbret në Kosovë , Behxheti mbret në Nepal ! Nëse LVV nuk arrinë një marrëveshje parazgjedhora , vuajtjet e saj do të bëhen të padurueshme pas zgjedhjeve ; i fiton zgjedhjet dhe nuk gjenë partnerë për qeverisje! Nëse shkohet në zgjedhje sipas kalendarit të Dick Marthy-it dhe Ekaterina Karanfiloves , mund ta kemi një përafrim midis LVV –es dhe AAK-ës ku të gjithë do t’i arrinin synimet ; Albini , kryeminster , Ramushi , president dhe neoshqiptari Pacolli, zot i diplomacisë apo kryetar Kuvendi. Sipas vendit , bëhet edhe Kuvendi !
  2. LDK-ë : nuk është aspak e interesuar të shkojë në zgjedhje sepse vlerëson se nuk do të ndahet mirë prandaj preferon gjendjen : “ më mirë një zogëz e pemëve të glasitura në Prishtinë në duar , se një elefant në Parkun Kaldahari të Afrikës. Gjykata Speciale nuk paraqet rrezik fare  për LDK-ë e që nuik mund të thuhet e njëjta gjë për Gjykatën Komerciale. Për LDK-ë është shumë e pranueshme mbajtja e pushtetit përmes përfshirjes së PDK-së në qeveri , së bashku me koalicionin aktual e që do t’i siguronte mandatin e plotë dhe lënie e LVV –ës në opozitë për aq kohë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme do t’i pranonte aq sa një i sëmurë rëndë nga sytë , të kurohej me krip deti duke ia hudhur në sy!
  3. PDK-ë : Është dëmtuar dhe dridhur deri në themel nga Gjykata e Dick Marthy-it e që kjo dridhje tektonike – politike do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Përveç se i janë dridhur themelet , me marrjen e udhëheqësve të kësaj partie , PDK –ë , si shtëpi poltike ka mbetur edhe pa kulm – kokë : Është deklaruar si opozitë por se asnjëherë nuk jemi bindur se vërtetë janë opozitë ! Në vend të një zëri , kemi pasur kakofoni deklarimesh dhe vendimesh. Është një disponim i shprehur botërisht se bëhen pjesë e qeverisë Hoti nëse si kundërvlerë e marrin postin e presidentit apo kryeministrit. Për kryeminister , Zoti i lashtë shëndoshë, nuk e lëshon Dulla  mësa e ka lëshuar Zhuj Selmani kullën e Sheremetit , pa u bërë kijameti ! Në momentin kur hyni në kombinime për poste të caktuara , askush nuk beson se jeni opozitë e vendosur dhe se doni të jeni opozitë ! PDK –ë duhet të jetë e prerë në deklarime dhe qëndrime ; nëse është e vendosur të mbetet në opozotë atëherë nuk duhet të diskutojë asnjë post , si biletë hyrëse për qeveri. Nëse mendon se duhet të jetë pjesë e qeverisë atëherë posti i Presidentit nuk i duhet asgjë sepse secili nga PDK-së , nëse do të bëhej president nuk do të ishte as karikaturë e Hashim Thaçit e lëre më president funksional!
  4. AAK-ë : Edhe kjo parti mund të preket nga Coronavirusi i Gjykatës Speciale por jo në atë masë sa PDK-ë . Nuk besoj se AAK-ë ka rënë në dalldi elektorale përveç , nëse nuk ka apo nuk e bënë një marrëveshje parazgjedhore me LVV –ë dhe Albin Kurtin me të cilën i garantohet një lundrim afatgjatë në pushtet. Në këtë rast , Ramushi mund të bëhet president sikur edhe nëse PDK –ë heq dorë nga posti i presidentit. AAK –ë ua ka zënë ngushtë të gjitha partive politike sidomos kur duhet të sigurohet prania e 80 –të deputetëve në sallën e Kuvendit për ta zgjedhur presidentin. AAK-ë e dëshmon më së miri se mesi i artë është më i mirë dhe më i sigurti , nëse përdoret në kohë të duhur , në masë të duhur , në vend të duhur dhe në mënyrë të duhur. Edhe ashtu gjërat më të mira janë në mes dhe çdo gjë sillet kah mesi ; kërthiza është në mes , bota sillet rreth boshtit në mes dhe Mesi është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave !

Një çështje që më brengosë shumë është se vendimarrja për shqiptarët dhe Kosovën , në vend se të jetë në Prishtinë apo Tiranë , tash është zhvendosur në Beograd dhe Hagë . Zhvillimet e fundit në Kosovë janë dëshmia më bindëse për këtë ! Do të jetë edhe më bindëse edhe në të ardhmën , deri në shpërthimin e radhës.

Për mua nuk është aspak me rëndësi se kush fiton në zgjedhje eventuale sa është me rëndësi se kemi mbetur pa opozitë të vërtetë , pa ofertë serioze për qeverisje të mirë për faktin se thuaja të njëjtit politikanë na sillen e pështillen në Kosovë në 20 vitet e fundit duke kënduar të njëjtën këngë : “ vaj në çfarë derexhe ka rënë shteti , kur nga ne vjen pushteti…”

P.s. Të gjithë atyre që mendojnë shqip, veprojnë shqip e që e kanë dhënë edhe një kontribut të vogël për njerëzimin dhe shqiptarinë , të udhëhequr nga vullneti kuq e zi , ua uroj Festën e të gjithë shqiptarëve , Festën e Flamurit , 28 Nëntorin e Ismail Qemalit , Hasan Prishtinës . Luigj Gurakuqit , Isa Boletinit , Bacës Adem Demaçi , Komandantit Legjendar Adem Jashari, heronjve dhe martirëve anekand ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët. Gëzuar , për ditë më të mira se këto të sotit !