Kosova

A do t’i bashkohet ish- ministri i Fatmir Limajt partisë së Milaim Zekës? Flet Hasani

Ishte 5 shtatori i vitit 2018 kur ish- ministri i Nismës për Kosovën, Bajram Hasani u largua nga detyra e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë. Nga kjo pozitë, Hasani u largua me kërkesë të partisë të cilën e udhëheqë, Fatmir Limaj.

Që nga ajo kohë e deri para dy ditësh, Hasani ishte pjesë e strukturave të Nisma Socialdemokrate. Më 28 qershor të këtij viti, Hasani u largua nga Nisma ku dha edhe arsyet e largimit. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, ai nuk ka dhënë detaje se cilës parti do t’i bashkohet.

E për këtë, Gazeta Blic ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish- ministrin dhe anëtarin e Nismës, Bajram Hasanin për të cilin këto ditë u përfol se do t’i bashkohet partisë më të re të themeluar nga deputeti i Kuvendit, Milaim Zeka (PEK).

I pyetur për këtë, Hasani i tha Gazetës Blic se kryetarit të PEK-ut, Milaim Zekës i uron gjithë të mirat për guximin që në këto kohë ka krijuar parti të re, siç e ka quajtur ai, komplet ndryshe me mendim të guximshëm.

“Zotëri Milaim Zekës i uroj për guximin që në këto kohë të krijoj parti të re, komplet ndryshe, me mendim të guximshëm. I uroj shumë suksese në projektin e ri dhe ta inkurajoj për punë”, tha fillimisht ai.

“Siç edhe kam thënë do të vazhdoj në të ardhmen të jem pjesë e skenës politike, por momentalisht jam në konsultime me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi. Për çdo vendim timin do të njoftoj me kohë”, përfundoi Hasani.

Ndryshe, që nga dorëheqja e Hasanit nga Nisma Socialdemokrate, kryetari i PEK-ut, Milaim Zeka ka ndarë me lexuesit e tij lajmet e mediave vendore të cilat kanë të bëjnë me dorëheqjet nga partia e udhëhequr nga Limaj.

E për këtë, Gazeta Blic ka pyetur edhe Zekën mirëpo, ai ka qenë shumë i shkurtër në përgjigjen e tij.

“Nuk e di”, ka thënë shumë shkurt ai për Gazetën Blic.

Ndryshe, që nga largimi i ish- ministrit Hasani, nga Nisma është larguar edhe nënkryetarja e degës së Gjilanit, Anila Tusha – Kastrati, Xhevat Klaiqi- një prej themeluesve të degës së NISMA Socialdemokrate në Kamenicë dhe ish- anëtari Këshillit të Kombëtar të saj si dhe Rasim Tereziu, ish- asamblisti i vetëm i kësaj partie në komunën e Vitisë.