SPORT

A do të kthehet në shtëpi Ronaldinho pas dy muajve në paraburgim

Legjenda braziliane e futbollit Ronaldinho po shpreson të lejohet të kthehet në shtëpi pas më tepër se dy muajve të kaluar në paraburgim në Paraguai, për shkak të pasaportës së falsifikuar.

“Ne po shpresojmë të bindim prokurorinë që të lejojë Ronaldinhon dhe vëllain e tij të kthehen në vendin e tyre. Nuk mund të bëjmë asgjë, pos të presim që të përfundohen hetimet”, ka thënë një burim nga mbrojtja e Ronaldinhos, njofton agjencia AFP.

Ish-futbollisti më i mirë në botë Ronaldinho dhe vëllai i tij Roberto de Assis Moreira, rrezikojnë deri në pesë vjet burg nëse shpallen fajtorë.

Vëllezërit janë arrestuar pasi u akuzuan se janë futur në Paraguai me pasaporta false.

Ronaldinho dhe vëllai i tij kanë paguar një dorëzani prej 1.6 milionë dollarë dhe janë duke vuajtur burg shtëpiak në hotelin luksoz “Palmaroga” në kryqendër të Paraguait, Asuncion, që nga 7 prilli.


Prokurori publik ka gjashtë muaj për të hetuar rastin dhe ka urdhëruar arrestimin e 18 personave në lidhje me këtë rast.

“Nuk ka asnjë dëshmi të vetme serioze që inkriminon atë. Ndonëse gjendet në një burg luksoz, nuk është korrekte që ende mbahet në paraburgim”, ka thënë presidenti i Unionit të Futbollistëve të Paraguait, Rogelio Delgado.


Ronaldinho 40-vjeçar nuk ka rënë shumë në sy që kur është liruar nga burgu, gjithashtu për shkak edhe masave kufizuese që janë marrë në vend për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Unë jam zënë totalisht në befasi kur e kam zbuluar se ato pasaporta nuk ishin valide”, tha Ronaldinho muajin e kaluar në një intervistë për gazetën paraguaiane “ABC”.


Ronaldinho ishte vendimtar në triumfin e Brazilit në Botërorin 2002. Gjatë karrierës ai ka luajtur për klube si Barcelona, Milani e Paris Saint-Germaini, ndër të tjera. Te Barcelona gëzoi periudhën më të mirë.

Ai dhe vëllai i tij – që është edhe menaxher i bizneseve të tij – fillimisht nuk hasën në probleme me të arritur në Asuncion nga Brazili më 4 mars.

Mirëpo, pak pas ardhjes, ata u arrestuan kur hetuesit bastisën hotelin pasi u zbulua se pasaportat e tyre ishin false.

Ronaldinho, që u prit si yll në Asuncion nga rreth 2000 fëmijë dhe tinejxherë, ka thënë se dokumentet i janë dhënë atij nga sponsorët e organizatës bamirëse që punon për fëmijët në disavantazh.

Hetimet që nga atëherë janë zgjeruar, ku po dyshohet për pastrim të mundshëm të parave.