SHËNDETËSIA

A do të hyjë Kosova sërish në karantinë, tregon Lul Raka?

Foto nga Arkiva

Kryesuesi i Bordit Këshillëdhënës Lul Raka thotë në sezonin vjeshtë-dimër, me rikthimin në shkolla dhe qëndrimin në hapësira të mbyllura, rezultatet e pandemisë do të varen nga vet qytetarët dhe inspektimi strikt i institucioneve qeveritare.

“Rihapja e shkollave dhe kthimi në hapësira të mbyllura për shkak të ftohjes së motit, pashmangshëm do ta shtojnë qarkullimin e njerëzve. Sezoni vjeshtor e rikthen edhe virusin e gripit sezonal. Të gjithë këta faktorë janë elemente që ndikojnë në rritjen e rasteve të sëmundjes. Prandaj, kjo edhe më shumë e fuqizon rolin e zbatimit të masave parandaluese nga popullata dhe mbikëqyrjen e tyre nga organet shtetërore. Rezultati përfundimtar do të varet nga zbatimi i masave nga vetë qytetarët e Kosovës dhe nga inspektimi strikt i institucioneve qeveritare”, ka thënë Raka.

Sipas tij, Kosova është më e përgatitur për të përballuar këtë situatë me pandeminë, sesa ka qenë gjatë verës. “Teste PCR në stok kemi shumë më tepër sesa gjatë verës. Numri i të punësuarve të rinj dhe specializantëve do të jetë infuzion i rëndësishëm kadrovik, janë shtuar edhe kapacitetet e inspektorateve, kapacitetet spitalore; problemi i oksigjenit në kujdesin intensiv është sanuar”.

“Po ashtu, kemi përvojë më shumë edhe lidershipi, edhe ne punëtorët shëndetësorë, por edhe populli në zbatimin e masave të nevojshme për parandalim. Patjetër që do të jetë sfiduese për të gjithë ne, por nëse i zbatojmë masat parandaluese dhe ato inspektuese, atëherë numri i rasteve do të jetë i menaxhueshëm për institucionet shëndetësore kosovare”.

Raka ka deklaruar tutje se kufizimet e reja varen nga shifrat e pandemisë, por mbylljen totale do ta rekomandojnë si opsionin e fundit.

“Kriteret themelore që përcaktojnë kufizimet janë në radhë të parë situata epidemiologjike nga disa parametra siç janë: numri i rasteve dhe vdekjeve në 100.000 banorë, politikat e testimit, numri i testeve të kryera, pozitiviteti i testit, numri i hospitalizimeve në spitale dhe njësi të kujdesit intensiv. Nëse ka përkeqësim dhe rritje masive të rasteve mund të ketë edhe kufizime proporcionale të lëvizjes së qytetarëve”.

“Mbyllja totale nuk është zgjedhje për situatën aktuale. Bordi prej fillimit ka rekomanduar hapjen e kontrolluar me zbatim të masave nga populli dhe inspektim rigoroz nga shteti. Nëse shkojmë me plane sipas rendit alfabetik, prej A-ZH, atëherë mbyllja totale do të ishte opcioni i fundit”, ka deklaruar Raka.