Kosova

A do ta votojnë qeverinë e re PDK-ja dhe AAK-ja?

Albin Kurti ende nuk i ka votat e sigurta për ta formuar qeverinë. Propozimi i tij për kabinetin qeverisës, mund të shkoi dëm në seancën e 3 shkurtit.

Mandatari për kryeministër Albin Kurti nuk do ta ketë mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe as të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ditën e hënë, në seancën e thirrur për votimin e Qeverisë.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia e tij do të mbetet në opozitë dhe se nuk do ta votojë një qeveri e cila formohet prej partive tjera.

“Partia Demokratike e Kosovës është në opozitë, do mbetet në opozitë. Përgjegjësia kryesore për mosformimin e institucioneve i takon Vetëvendosjes dhe zotëri Kurtit, meqë ai ka marrë mandatin dhe në të kaluarën kur PDK i ka fituar zgjedhjet ne kemi marr mandatin dhe kemi krijuar qeverinë… Absolut jo opozita nuk voton një qeveri e cila formohet prej partive tjera politike”, ka pohuar Hoxhaj.

Gjithashtu, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar para mediave sot, se AAK nuk e voton Qeverinë Kurti.

“Është normale që është caktua seanca sepse kryhet edhe afati kohor. AAK nuk është pjesë e ndonjë marrëveshje politike dhe nuk e voton ndonjë qeveri këtë të hëne”, është shprehur ai.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka theksuar se duan që në seancën e së hënës të shkojnë me një marrëveshje me LDK-në. Ata kanë thënë se i kanë bërë 9 oferta LDK-së, mirëpo për tu arritur marrëveshja LVV thekson se duhet afrim edhe nga ana e LDK-së.

Ndryshe, këto dy parti kanë harmonizuar shumicën e programit qeverisës, mirëpo nuk kanë gjetur një kompromis sa i përket ndarjes së përgjegjësive dhe pozitave.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483