Hi Tech

A do ta përçajë ShBA-ja internetin?

Sekretari i shtetit i ShBA-së, Mike Pompeo, thotë se dëshiron internet “të pastër”.

Ajo që dëshiron të thotë është heqja e ndikimit kinez, dhe kompanive kineze, nga interneti në ShBA, shkruan BBC.

Por kritikët druajnë se kjo do të përkrahte një lëvizje të rrezikshme drejtë përçarjes së internetit global.

I ashtuquajturi “splinternet” në përgjithësi përdoret kur flitet për Kinën dhe së voni edhe Rusinë.

Ideja prapa kësaj është se nuk ka asgjë të paracaktuar që interneti domosdo duhet të jetë global. Në mënyrë që qeveritë të kontrollojnë atë se çka shohin njerëzit në internet, ka kuptim që edhe dëshirojnë ta pronësojnë.

I ashtuquajturi Firewalli i Madh i Kinës është shembulli më i mirë se si një shtet vë mur rreth internetit, në Kinë nuk mund të gjeni as Google e as Facebook, transmeton KOHA.

Ajo që njerëzit nuk pritën ishte se edhe ShBA mund të bëjë të njëjtën gjë.

Sidoqoftë kritikët besojnë se ky është kuptim i deklaratës së Pompeos që e tha të enjten.

“Republika popullore e Kinës dhe aplikacionet e tyre kërcënojnë privatësinë tonë, shpërndajnë viruse dhe përhapin propaganda dhe dezinformata”, tha ai.

Pompeo tha se dëshiron të heqë aplikacionet e “dyshimta” nga dyqanet për blerjen e aplikacioneve në ShBA.

Nëse Pompeo do të bëjë këtë gjë me të vërtetë, kjo do të kthejë prapa me vite të tëra të politikave kibernetike të ShBA-së. Nëse ekziston një shtet i cili ka qenë pishtar i internetit të lirë, bazuar në të drejtën kushtetuese për shprehje të lirë, kjo ka qenë Amerika.

Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij megjithatë kanë pasur një qasje tjetër, për shkak të brengave se disa kompani kineze të cilat punojnë në ShBA paraqesin rreziqe për sigurinë. Andaj vizioni i Trumpit për një internet të liruar nga Kina, do ta bëjë internetin shumë të ndarë.

Dhe për ironi, do të duket njëjtë si vizioni kinez i internetit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.