Rajoni

A do humbë Zaevi? Mbi të ndryshon “faji” i ndryshimit të emrit të Maqedonisë

Zoran Zaev, kandidati më popullor në zgjedhjet e përgjithshme të së mërkurës në Maqedoninë e Veriut, ka bërë më shumë gjatë tridhjetë muajve si kryeministër se shumica e politikanëve maqedonas për pothuajse tridhjetë vjet me radhë prej se vendi fitoi pavarësinë nga Jugosllavia.

Kur Zaevi dha dorëheqje nga posti kryeministror në janar që t’i hapte rrugën një qeverie teknike për të mbikëqyrur fushatën zgjedhore, e kishte sjellë Maqedoninë e Veriut në prag të anëtarësimit në NATO. Ai kishte trasuar rrugën që vendi të aplikonte për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dhe ai zgjodhi një kontest të vjetër prej tri dekadash për emrin me fqinjin më të madh, Greqinë.

Zemërimi i maqedonasve

Dhe prapëseprapë Zaevi mund t’i humbë zgjedhjet e së mërkurës, edhe për shkak të zemërimit të masës që e mori për ta jetësuar krejt këtë: për shkak se emrit të vjetër të Maqedonisë ia shtoi mbiemrin “Veriore”. Kjo lëvizje ia mbushi mendjen Greqisë që të hiqte dorë prej bllokimit të aplikimeve të Maqedonisë Veriore për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Tani Athinës zyrtare i janë hequr dilemat se vendi fqinj ka ambicie territoriale për pjesën veriore greke të njohur gjithashtu me emrin Maqedonia.

Por ky vendim i Zaevit zemëroi maqedonasit, të cilët ndien se kryeministri çoi në fund të pusit identitetin e tyre. Ata u acaruan edhe me mënyrën se si Zaevi e ratifikoi marrëveshjen në parlament, edhe pse shumica e votuesve e bojkotuan në referendumin për këtë temë.

“Unë jam nga Maqedonia, e jo nga Maqedonia Veriore”, ka deklaruar Robert Mileski, bloger dhe zhvillues softueri. Ai kishte votuar për Zaevin në zgjedhjet e kaluara, por tani e përshkruan vendimin e atëhershëm si “gabimin më të madh në jetën time”.

“Ai nuk ka të drejtë të vërë vullnetin e tij para vullnetit të popullit”, ka shtuar Mileski.

Implikimet rajonale

Humbja e mundshme në zgjedhje për partinë e qendrës së majtë të Zaevit do të sillte paqartësi për Maqedoninë Veriore, një territor i rrethuar me male dhe me dy milionë banorë, por edhe për rajonin më të gjerë të Evropës Juglindore, ku edhe dy dekada më vonë ende nuk janë zgjidhur shumë çështje prej kohës së luftërave të Ballkanit në vitet nëntëdhjetë.

Rivali më i madh i Zaevit, Hristijan Mickoski, nacionalist i së djathtës, ka kundërshtuar ndryshimin e emrit. Ai dëshiron të rishikojë jo vetëm pjesë të marrëveshjes me Greqinë, por edhe një pakt me Bullgarinë dhe një ligj të aprovuar së fundmi që zgjeron të drejtat për shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë çerekun e popullsisë së Maqedonisë Veriore.

“Nëse nuk jemi stabilë, nëse luftojmë me fqinjët, nëse luftojmë me shqiptarët brenda Maqedonisë Veriore, kjo e vë vendin krejtësisht në rrezik”, ka thënë Zeavi gjatë një interviste të zhvilluar javën e kaluar.

Në një tjetër intervistë, Mickoski ka thënë se mbështet anëtarësimin e vendit në NATO dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por ai ka premtuar gjithashtu se do të angazhohet brenda kufizimeve kushtetuese për të ndryshuar paktin me Greqinë.

“Ai nuk mund ta injorojë realitetin”, ka thënë Mickoski, duke folur për vete në veten e tretë. “Por njëherësh, ai do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për ta ndryshuar atë realitet”.

Nëse ai e fiton pushtetin, pakkush pret se do ta përmbysë zyrtarisht marrëveshjen me Greqinë.

Por disa analistë druajnë se mund të krijojë turbulencë të mjaftueshme me Greqinë dhe Bullgarinë, saqë njëra ose të dyja mund të kundërshtojnë aplikimit e Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian, të devijojë energjinë dhe vëmendjen e ndërmjetësve ndërkombëtarë nga tensionet e tjera rajonale.

Në veçanti do të mund të shpërqendrohej nga përpjekjet për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ish-krahinës serbe që u nda më 1999 pas fushatës kryengritëse të separatistëve shqiptarë etnikë dhe fushatës bombarduese të NATO-s, që kishte për qëllim të mbronte popullsinë e saj kryesisht shqiptare nga spastrimi etnik.

Përplasja e Perëndimit dhe Rusisë – dhe Kinës

“Mendoj se do të jetë problem për rajonin”, ka deklaruar Petar Arsovski, analist politik shkupjan. “Ende nuk kemi arritur në kodër. Ende mund të marrin teposhtën”.

Si krejt rajoni i Ballkanit, edhe Maqedonia Veriore është arenë e garës për Perëndimin, Rusinë dhe Kinën. Dhe devijimi nga rruga proevropiane do të mund t’i jepte Moskës mundësinë për të rivënë veten në spikamë, sidomos tani kur fuqitë evropiane janë të ndara për mënyrën se sa shumë duhet të angazhohen në Maqedoninë Veriore.

Edhe pasi Zaevi e lidhi karrierën e tij politike me ndryshimin e emrit, Franca bllokoi për një kohë të shkurtër vendin nga aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian – dhe ndryshoi qëndrimin vetëm pasi Zaevi i zhgënjyer dha dorëheqje dhe shpalli zgjedhje të parakohshme.

Humbja eventuale për Zaevin do të mund të përshkallëzojë tensione të brendshme ndërmjet maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve etnikë, disa prej të cilëve i prin një kryengritjeje të dështuar separatiste më 2001.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483