Bota

75 persona ikin nga burgu në Paraguai, dyshohet se u lanë të lirë nga rojet

75 të burgosur kanë ikur nga një burg në Paraguai afër kufirit me Brazilin, kanë bërë të ditur autoritetet atje.

Sipas dyshimeve të tyre, të burgosurit janë lënë të lirë nga rojet që të dilnin përmes portës kryesore, ndërsa një tunel i gjetur thuhet se ka qenë vetëm mbulesë për lirimin e tyre, se kinse kanë ikur.

Shumica e atyre që kanë ikur ishin pjesë e bandës më të madhe kriminale braziliane, “PPC”, e cila ka rreth 30 mijë anëtarë dhe është e përfshirë për trafikim me drogë e armë. Ajo operon në Brazil, Paraguai, Bolivi e Kolumbi.

Pas hetimeve në kompleksin e burgut në qytetin Pedro Juan Caballero të dielën, policia ka gjetur se i gjithë blloku me pjesëtarët e kësaj organizate ishte i zbrazët.

Një i burgosur ishte fotografuar teksa përpiqej të ikte nga burgu përmes tunelit.

Ministri i Brendshëm, Euclides Acevedo, ka thënë se ishte e qartë se zyrtarët e burgut ishin të përfshirë në rast.

“Kemi gjetur tunelin dhe besojmë se ishte vetëm mbulesë për të legjitimuar ose fshehur lirimin e të burgosurve. Kishte bashkëpunim me njerëzit e burgut”, ka thënë ai.

Sipas tij, të burgosurve u mundësua lirimi në grupe më të vogla përgjatë disa ditëve, dhe krejt kjo ndodhi në kohën kur drejtori i burgut ishte në pushim vjetor, transmeton Koha.net.

Tashmë autoritetet kanë vendosur për shkarkimin dhe arrestimin e të gjithë zyrtarëve të burgut.

Duke folur për “ABC Cardinal”, ministrja e Drejtësisë, Cecilia Perez, ka thënë se kanë informacione se “një largim ishte planifikuar dhe se 80 mijë dollarë u ishin ofruar agjentëve”.

Rajoni i kufirit mes Brazilit e Paraguait njihet si rrugë për trafikimin e drogës.