EKONOMI

41% e kosovarëve në kohë pandemie ulën konsumin, 15% morën para borxh

65.9 për qind e të të anketuarve nga UNDP-ja kanë thënë se pandemia e koronavirusit ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike. Si strategji për të përballuar ndikimin e koronavirusit, 41 për qind e tyre kanë thënë se kanë zvogëluar konsumin e 15 për qind se kanë marrë para borxh.

40.7 për qind e qytetarëve të anketuar nga UNDP-ja, në një anketë të fundit, kanë thënë se pandemia ka pasur ndikim në shëndetin fizik, e 59 për qind se ka ndikuar negativisht në shëndetin mendor.

Sipas anketës, mirëqenia ekonomike e grave (68.4%) u prek më shumë se ajo e burrave (63.6%). Gratë u prekën më shumë sa i përket shëndetit mendor me 60.9%, për dallim nga burrat prej të cilëve 57 për qind thanë se pandemia ka pasur ndikim negativ në shëndetin mendor të tyre. Ndikimi negativ i COVID-19 ka qenë në shkallë rreth 40 për qind për të dy gjinitë në aspektin e shëndetit fizik.

Si strategji kryesore për të përballuar pandeminë ishte zvogëlimi i konsumit (41%) e borxhi (15.3%). Ndërsa 14.1 për qind e të anketuarve kanë thënë se vazhduan të punonin për të përballuar këtë problem. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë s’kanë treguar dallime të mëdha lidhur me strategjitë e përdorura për të përballuar ndikimin e koronavirusit.

Image

Sa i përket anketimit në bazë të komunitetit, sipas anketës, komuniteti serb ka dalë me përqindjen më të lartë të atyre që kanë vazhduar të shkonin në punë gjatë krizës, me 24.8 për qind të të anketuarve serbë që kanë thënë se kanë vazhduar punën. 13.4 për qind e shqiptarëve të Kosovës vazhduan të punonin gjatë kësaj periudhe, ndërsa përqindja për komunitetet tjera ishte 15.5 për qind.

Në këtë matje të Pulsit Publik, të anketuarit kanë treguar se burimi kryesor i informacionit lidhur me koronavirusin ishin programet në TV dhe radio me rreth 40 për qind, pasuar nga portalet me 25 e rrjetet sociale me 23 për qind.

78 për qind e të anketuarve u deklaruan të kënaqur me reagimin e institucioneve publike ndaj krizës së shkaktuar. 81.1 për qind e shqiptarëve të Kosovës dhe 77 për qind e pjesëtarëve të komuniteteve tjera u ndanë të kënaqur, por ndryshe kanë deklaruar nga komuniteti serb nga i cili komunitet vetëm 26.2 për qind ishin të kënaqur me masat e institucioneve të Kosovës.

Këto gjetje janë paraqitur në bazë të një ankete të UNDP-së, mbështetur nga USAID-i, me 1305 qytetarë të Kosovës mbi moshën 18-vjeçare.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë u regjistruan më 13 mars. Deri tash janë regjistruar 1064 persona të infektuar, prej të cilëve 829 janë shëruar e 30 kanë vdekur.