Kosova

38 mijë fëmijë me nevoja të veçanta nuk do të jenë pjesë e procesit mësimor nga shtatori

Sipas UNICEF-it, rreth 38 mijë fëmijë me nevoja të veçanta në Kosovë besohet se nuk do të jenë pjesë e procesit mësimor nga një shtatori, kur edhe fillon viti i ri shkollor. Sipas organizatave vendore e ndërkombëtare, këta fëmijë janë lënë pas dore nga shoqëria dhe institucionet. Bazuar në Ligjin për arsim parauniversitar, çdo fëmije me nevoja të veçanta, duhet t’i mundësohet qasja dhe përfshirja në edukim të rregullt.

Lumturie Vorfi nga Gjakova kujdeset për djalin e saj, Lionin, 14-vjeçar, i cili është me aftësi të veçanta. Prej vitesh Lumturia është munduar të shoqërojë Lionin me bashkëmoshatarët, por vazhdimisht e ka pasur të vështirë që ta dërgojë atë në institucione edukative. 

“Ky për shembull kur është bashkë me fëmijët e tjerë, ndihet shumë mirë, ndihet shumë i gëzueshëm, shumë i disponuar, të paktën për atë e bëj dhe e dërgoj”, ka thënë Lumturia. 

Lioni, aktualisht, shkon në një klasë speciale në të cilën ka vetëm fëmijë me nevoja të veçanta. Për dy vjet rresht, Lumturia e kishte dërguar Lionin në mësim parashkollor ku thotë se ishte fazë shume e rëndë për të, pasi shkollat nuk kanë infrastrukturë të qasshme për personat me nevoja të veçanta, si dhe mungon stafi profesional.

“Për fëmijën ka qenë shumë mirë, argëtim për Lionin, por për prindin, që ta kryejë punën e asistentit nuk është punë e lehtë. Vetë kjo që fëmija yt nuk e ka këtë mundësi të jetë njëjtë si fëmijët e tjerë, kjo të mjafton, e lëre më të tjerat”, ka thënë nëna e Lionit.

Në organizatën “Handikos Gjakova”, thonë se kjo kategori është jashtë mase e diskriminuar duke filluar nga mungesa e infrastrukturës speciale për personat me nevoja të veçanta e deri te mungesa e asistentëve në shkolla. Janë kriteret e caktuara që duhet të kenë mësimdhënës të mbështetës fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Duhet të kenë asistentë gjatë mësimdhënies, po ashtu duhet të kenë edhe mbështetje të transportit, tjetër është edhe infrastruktura e shkollave e përshtatshme me fëmijët me aftësi të kufizuara”, ka thënë Brilanta Ballanta nga Handikos Gjakova.

Shefi i Zyrës së UNICEF’it në Kosovë, Murat Sahin thotë se situata në të cilën ndodhen fëmijët me nevoja të veçanta nuk është problem i një institucioni por i tërë shoqërisë. 

“Përgjatë javëve të kaluara, kam vizituar disa shtëpi kam pasur mundësinë t’i njohë disa fëmijë me nevoja të veçanta dhe familje po ashtu. Ata thanë këto janë pesë gjërat që na duhen: Transporti; Asistenca profesionale për fëmijët tanë në shkollë, në mënyrë që ata t’i trajnojnë, ndihmojnë që të rrijnë në shkollë; Teknologjia mbështetëse, në mënyrë që ata të mund të nxënë, na duhet kurrikula që të përshtatet”, ka thanë Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF’it në Kosovë.

Ata, po ashtu, i përmendën disa nevoja për fizioterapi që duhet t’u plotësohen. 

Në ministrinë e ARsimit thonë se janë duke punuar vazhdimisht për ngritjen e kapaciteteve profesionale nëpër shkolla, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme që mundëson qasjen e fëmijëve me nevoja të veçanta. 

“MAShT’i, në bashkëpunim me partnerët vendor dhe ndërkombëtarë, ka bërë trajnimin e mbi 8000 mësimdhënëseve të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, përfshirë edhe institucionet parashkollore, në programe që kanë për metodologjitë e mësimdhënies dhe qasjes me fëmijët me aftësi të kufizuara”, thuhet në përgjigjën e MAShT’it

Leave a Reply

Your email address will not be published.