25 vjet nga mobilizimi i UÇK-së

Ushtria Çlirimtare e Kosovës më 31 mars 1999 vendosi për një mobilizim të përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, 25 vjet më parë nëpërmjet urdhrit për mobilizim, pati ftuar qytetarët për t’iu përgjigjur më mirë zhvillimeve, si rezultat i veprimtarisë ofensive të forcave serbe.

UÇK-ja ftoi qytetarët për mobilizim të përgjithshëm në Kosovë e jashtë saj për të gjithë popullin e Kosovës për kompletimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili filloi më datën 01.04.1999 dhe vazhdojë si proces.

“Të detyruar për t’u lajmëruar për në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë moshat nga 18-50 vjeç. Lajmërimi për regjistrim prej datës 01.04.1999 deri më 30.04.1999.

Të gjithë kuadrot ushtarake të lajmërohen për të marrë detyrat në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga data 01 deri më 25 prill 1999. Çdo kuadër i inkuadruar i ri, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të marrë urdhrin përkatës të emërimit në detyrën funksional nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantët e njësiteve ushtarake, të marrin në dorë evidentimin e të gjithë të detyruarve për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të mbahen evidenca të sakta e të plota.

Për aftësinë e trupave dhe kuadrove të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngrihen edhe qendra të reja stërvitore, ku me programe intensive të bëhet aftësimi i trupave para futjes në front. Stërvitja do të zgjasë nga 10-15 ditë.

Për zbatimin e këtij urdhri kur nuk arrihet të gjejë zbatim detyrimi ligjor, Policia Ushtarake të veprojë brenda e jashtë Kosovës, për të detyruar paraqitjen e të gjithë atyre moshave që detyron vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ngarkohen me zbatimin e këtij urdhri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantët e zonave të drejtimeve të njësive dhe Policia Ushtarake.

Ndjek zbatimin e këtij urdhri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhej në Urdhrin e për mobilizimin e përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe për çlirimin e Kosovës.

Go to TOP