OPINION

Vendit i duhen ndryshime të shpejta kushtetuese, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës

Shkruan: Dr. sc. Fatmir HOXhA
Zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, kanë treguar hapur se për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës, si institucion i rëndësishëm në kuadër të sistemit kushtetues dhe politik, janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese me të cilat zgjedhja do të duhej të bëhet drejtpërdrejte nga qytetaret.

Nisur nga rrethanat e kohës, që nga zgjedhjet e para parlamentare të pas-luftës të vitit 2001 e deri tani, Kosova ka pasur katër president të zgjedhur nga deputet ku zgjedhja e tyre është përcjell me kriza institucionale në njërën anë dhe pazare politike në anën tjetër nga grupet e fuqishme me ndikim në politikë dhe jashtë saj. Bazuar në detyrimet kushtetuese dhe opinionet e njohësve të sistemeve politike, Kosova nuk është një sistem i pastër parlamentar, pasi që bazohet në një ndarje të pushtetit ku pozita e presidentit është e rëndësishme me disa kompetenca që kanë karakter ekzekutiv si; Presidenti i Republikës së Kosovës udhëheq politikën e jashtme dhe bën emërime dhe shkarkime në disa institucione me rëndësi vitale në vend.

Drama e mbrëmshme vuri në sipërfaqe edhe një herë se grupet e ndryshme të interesit nga formacionet politike apo nga komunitetet jo-shumicë mund të pengojnë zgjedhjen e Presidentit. Edhe pse shpesh përmendet se në kuptimin e përgjithshëm presidenti është udhëheqës nominal ose lider ceremonial – ai që e simbolizon kombin, por në realitet janë po ato kompetenca ekzekutive të cilat krijojnë kriza në situatat kur kemi zgjedhjen e presidentit. Nëse analizojmë rolin e pozitës së shefit të shtetit në vende të ndryshme, duhet të kemi në konsideratë formën e rregullimit shtetëror dhe llojin e organizimit të pushtetit. Mirëpo, rëndësia e këtij institucioni varet nga disa faktorë praktik siç janë; mënyra/rruga e të ardhurit në pushtet, përgjegjësia dhe gjerësia e kompetencave. Janë faktorët e lartpërmendur të cilët krijon kriza në situatat e tilla pasi që lidhen drejtpërdrejtë nga kompetencat ekzekutive që bartë pozita e Presidentit. Pra, gjerësia e kompetencave të presidentit ndikon në kriza të tilla, andaj është nevojë e domosdoshme që në të ardhmen zgjedhja e presidentit të Kosovës të bëhet drejtpërdrejtë nga qytetarët. Përmes zgjedhjes së Presidentit drejtpërdrejtë nga qytetarët do të kemi një president më përfaqësues, do t’ju pamundësohet grupeve të vogla politike të interesit të krijojnë pengesa të tilla duke ju pamundësuar realizimin e përfitimit në kurriz të qytetarëve dhe nuk do të kemi rrezik për shkuar në zgjedhje të parakohshme nga krizat të tilla.

 Hulumtimi i realizuara nga Instituti Demokratik i Kosovës, pasqyron se sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje në rast të zgjedhjes së drejtpërdrejt të Presidentit nga populli, 84.8% janë deklaruar se do të merrnin pjesë në zgjedhje. I mbetet përfaqësueseve të Kuvendit të Kosovës që në këtë legjislaturë të zgjedhin presidentin në periudha kushtetuese dhe të angazhohen fuqishëm për ndryshimet e nevojshme Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejte nga qytetaret edhe pse është një mision i vështire, pasi që kërkohet konsensus për ndryshimet kushtetuese ku përveç 2/3 të gjithë deputetëve, janë të nevojshme edhe 2/3 e deputetëve të pakicave, së paku edhe katër deputetë serbë që është shumë vështirë të sigurohen.

Për fund, ndryshimet kushtetuese dhe reformat e mirëfilltë zgjedhore duhet të vijë si rezultat i nevojave për të krijuar institucione të qëndrueshme dhe në shërbim të qytetarit. Realizimi i reformave të tilla është veprim patriotik sot dhe nevojë urgjente për të vepruar në këtë periudhe të tranzicionit nëpër të cilin po kalon vendi!.