OPINION

2019-ta, vit i iluzioneve për ndryshim!

Shkruan: Florim ZEQA
Vëllezër dhe motra, qytetar të dashur të vendit tim, përmes shkrimit të mëposhtëm po e përfundoj këtë vit me Analizat dhe Kolumnet politike, duke ju falënderuar për mbështetjen dhe kontributin tuaj në rrugëtimin e përbashkët drejt ndryshimeve pozitive në vendin tonë.

Pasqyrimi i realitetit është obligim qytetar i së cilit dhe për më tepër i një gazetari në përmbushjen e misionit fisnik ndaj shtetit dhe qytetarëve të vendit në përgjithësi.

Gazetaria është kontinuitet i shoqërisë civile, besnike ndaj së vërtetës, për të zbuluar lajmin, edhe atëherë kur nuk shihet apo tentohet të fshihet nga të tjerët, për t’i bërë gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im!

Unë e them të vërtetën lakuriqe ashtu siç është, të pakamufluar, të pazbukuruar dhe të pacensuruar nga politikat redaktuese.

Lum ai gazetar që arrin ta ruaj pavarësinë shpirtërore dhe paanësinë partiake. Futja e shpirtit të një gazetari dhe krijuesi nën grilat e pushtetarëve apo nën konjukturat partiake është pak më tepër se vetëvrasje, është ngufatje e shpirtit për së gjalli!

Sikurse deri më tani, edhe në të ardhmen do të jem në shërbim të qytetarëve dhe vendit tim, pa u dorëzuar asnjëherë përballë sulmeve dhe kërcënimeve të hienave partiake, klaneve dhe grupeve të interesit që veprojnë brenda partive tona politike.

Kapërcimi kohor nga njëri vit në tjetrin

Për qytetarët e vendit tonë, 365 ditët e vitit 2019 ishin vërtetë të rënda dhe të mundimshme, plot thyerje shpirtërore, me rënie dhe degradime të njëpasnjëshme të shtetësisë së Kosovës.

Dallimi në mes politikanëve të pasur e qytetarëve të varfër është rritur skajshmërish. Janë tavolinat e të pasurve, të mbingarkuara më dollitë e vitit të ri, në anën tjetër ato gjysmë të zbrazura dhe të zbrazura të qytetarëve të varfër,…janë shtëpitë e boshatisura të bashkëkombësve tonë që nuk mundën t’i rezistojnë varfërisë dhe denigrimit social të këtij fund viti!

Optimist apo pesimist, çfarë jemi, pak ka rëndësi, janë sondazhet ato që na tregojnë realitetin me renditjen e Kosovës ndër të parat në listat e zeza (PISA),… të fundit për zhvillim ekonomik, siguri e mirëqenie qytetare.

Ashtu siq ndodhë kapërcimi kohor nga një vit në tjetrin, do duhej të ndodhte edhe kapërcimi i politikës nga një gjeneratë në tjetrën. Kalimi prej filozofisë së pasurimit nga shteti, ne filozofinë e dhënies gjithçka për shtetin, siç ishte në fillim të viteve të ’90-ta…

Ç’bëra gjatë këtij viti, e çfarë dua të më sjellë viti i ri ? Këto pyetje janë bërë si refren i çdo fund viti, përgjigjen e të cilave e gjejmë të secili njeri i vendit tonë.

Në kapërcimin kohor, nga një vit në tjetrin, secili në mënyrën e vet bën analizën e fund vitit, për sukseset dhe dështimet, gëzimet dhe hidhërimet.

Sa do që përpiqemi t’i ikim politikës nuk mundemi, shkaku i politizimit të skajshëm të jetës dhe dallimeve shoqërore të shkaktuara nga politika.

Edhe optimistët më të mëdhenj nuk mund ta ndjejnë vetën mirë në këtë fund vit, shkaku i dështimeve të mëdha! Ka arsye të shumta për t’u ndier keq; ishte ky një vit i shpresave të mëdha dhe pritjeve të gjata për ndryshim.

Vetë brendia e jonë na thotë së diçka s’është në rregull. Ecja përpara e vendit është mjegulluar skajshmërish shkaku i dështimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje i dy partive fituese të zgjedhjeve dhe dukurive të shumta negative të qeverive paraprake.

Dështimi i koalicionit, fundi i iluzioneve për ndryshim

Hyrja në vitin që po e lëmë pas, ishte e furishme dhe plotë shpresa për qytetarët e vendit. Entuziazmi që sollën zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit për ndryshimin pozitiv, u kthye në iluzion dhe zhgënjim të madh për qytetarët që kishin votuar për ndryshim.

Dështimi i koalicionit nuk erdhi si rezultat i aspekteve programore dhe as i ndarjes së “përgjegjësive” siç po e proklamojnë dy partitë fituese të zgjedhjeve, por si pasojë e egos për pushtet dhe inateve personale, përkatësisht nga tendenca e dominimit ndaj njëra-tjetrës në koalicionin qeverisës.

Marrëveshja eventuale pas presionit ndërkombëtar, do të jetë një marrëveshje e përkohshme për evitimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këtë periudhë kohore, por jo zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate.

Atë që prisnim dhe dëshironim nga zgjedhjet e 6 tetorit nuk erdhi. Duhet të kthjellemi nga agonia e pritjes së gjatë,…për të gjetur rrugën e ecjes përpara, për të gjetur zgjidhjen e mijëra problemeve në këtë vend. Kjo arrihet vetëm përmes ndryshimeve reale në vend, e jo përmes ndryshimeve si slogan politik, si mjet për arritjen e qëllimit të mbajtjes apo marrjes së pushtetit siç ndodhi përgjatë këtyre 12 viteve të pas pavarësisë në Kosovë.

Heshtja e popullit ndër vite është akumulim i pakënaqësive të shumta, i zhgënjimeve dhe thyerjeve shpirtërore.

Thyerja e shpresave të qytetarëve

Gjëja më e rrezikshme për të ardhmen e një populli është krijimi i iluzioneve se nesër do të bëhet mirë. E mira nuk pikë nga qielli!

Për të arritur deri të një e mirë e dëshiruar, duhet shumë punë, mund e sakrifica të panumërta.

Politikanët e papërgjegjshëm, Kosovën nga një vendi i shpresës dhe i ardhmërisë e kanë kthyer në një vend ku ëndrrat shndërrohen në iluzione, ku shpresat vdesin akoma pa lindur, ku vdekja të shoqëron çdo kund dhe në çdo hap të jetës.

Pothuajse çdo gjë është bërë e padurueshme në vendin tonë, siç duket durimit qytetar i ka ardhur fundi nga padrejtësitë dhe prapësitë e shumta politike.

Shteti i ri për dikë është bërë “nënë e për dikë tjetër njerkë” siç thotë populli, dikujt i mundësoi t’i ketë të gjitha të mirat e kësaj bote, e dikujt tjetër asgjë, Kosova u bë parajsë për pushtetarët dhe u shndërrua në ferr për qytetarët!

Shpërthimi i “bombës” sociale në Kosovë është duke numëruar orët e fundit!

Rinia e sotme kosovare e ka të vështirë të gjejë motivimin për jetë në atdheun e vet,…përfundimi i studimeve, të rinjtë i gjen pa shpresa për punësim shkaku i mungesës së zhvillimit ekonomik, nepotizmit dhe familjarizimit qeveritar.

Mirëpo, ne gjeneratat që kemi përjetuar kohërat edhe më të vështira, duhet t’u tregojmë të rinjve, se nuk duhet dorëzuar para të keqes.

Me vullnet dhe dashuri njerëzore, me unitet, me bashkim të forcave intelektuale dhe fizike të popullit është i mundur të arrihet ndryshimi pozitiv, i nevojshëm për të ndërruar kursin e politikës aktuale, kalimin nga filozofia e pasurimit nga shteti, ne filozofinë e dhënies gjithçka për shtetin.

Me mundimet dhe problemet e vitit që po e lëmë pas, do e fillojmë edhe vitin e ri 2020-të. Njerëzit e veshur me pushtet dhe ata që qëndrojnë afër tyre edhe më tutje do të mbushin xhepat me paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës, ndërsa në anën tjetër mijëra shtetas kosovar të shtyrë nga varfëria do të braktisin vendlindjet e tyre!

Nuk mjaftojnë vetëm lutjet për të shuar dëshpërimin dhe varfërinë, për t’i dhënë fund ngufatjes së shtetit nga uzurpatorët.

“Të gjithë bashkë kundër të keqes”, ky duhet të jetë slogani i fuqishëm i bashkimit në luftën për ndryshim, mobilizim i përgjithshëm i popullatës pa dallime partiake, ideologjike apo fetare.

Kjo është mundur me unitet dhe forcë për ndryshime pozitive, me solidaritet, humanizëm dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit ashtu siç e kishim në vitet e krenarisë kombëtare (viteve të ’90-ta).

Të mos mbetemi edhe më tutje robër të politikanëve të papërgjegjshme dhe grupeve të interesit, të mos bëhemi skllevër të kusarëve politik, të atyre që për 20 vjet rresht rropën e ç’rropën e gjithë pasurinë e këtij vendi.

Largimi nga vendi nuk është zgjidhja e problemeve, përkundrazi e thellon akoma më tepër varfërinë dhe denigrimin social, shtonë orekset e pushtetarëve për gllabërimin e mëtutjeshëm të pasurive shtetërore.

Ndryshimin politik në vendin tonë nuk ka forcë që e ndalon

Aktualisht janë në ardhje dy forca politike nga Diaspora (PDD dhe FED), të cilat do ta sfidojnë skenën politike kosovare në zgjedhjet e radhës.

Mirëpo, angazhimi parcial i mërgatës në politikë, jo vetëm që nuk e ndihmon ndryshimin, do të shërbejë si dekor në skenën politike dhe mjet për kalkulime të partive të mëdha.

Forca e vërtetë e Diasporës akoma nuk është mobilizuar. Jemi në pritje të një zhvillimi të brendshëm politik, që bashkon të gjitha forcat progresive, në të kundërtën do të dimë si t’i dalim zot vendit tonë.

Lëvizja e re politike nga mërgata do t’i bashkoj të gjitha forcat progresive pa dallime rajonale, partiake, ideologjike apo fetare për ta shpëtuar vendin nga katandisja në humnerë dhe për ta shpëtuar shtetin nga zhbërja fizike.

Lënia e fatit të vendit në duart e liderëve të korruptuar politik, është më tepër se heqje dorë nga shtetësia dhe sovraniteti politik.

Ardhja në pushtet e një klase të përgjegjshme politike, e aftë për ndryshime pozitive, do të krijojë kushtet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare.

Me forcimin e sistemit të drejtësisë jo vetëm që do të luftohen dukuritë negative, do të krijohet siguri për investime dhe shpresë për ardhmëri në vendin tonë.

Prandaj, me të drejtë kemi arsye të ngremë dolli e të festojmë, sepse mbrapa po e lëmë një vit të mbrapsht dhe të shëmtuar politik, për të vazhduar rrugëtimin tonë drejt ndryshimit pozitiv dhe shtigjeve të ardhmërisë,…GËZUAR.