Kosova

Vllasi: E kemi humbur besueshmërinë dhe përkrahjen e Amerikës për shkak të sjelljeve të brendshme

Avokati Azem Vllasi në DESKU të KTV-së ka thënë se Kosova ka humbur besueshmërinë dhe përkrahjen e partnerit kryesor ndërkombëtar, ShBA-së.

Ai këtë e ka përmendur si pasojë afatgjate që shteti kosovar do ta ketë.

“Pasoja afatgjate janë se e kemi humbë besueshmërinë dhe përkrahjen te miqtë kryesorë perëndimorë, te Amerika dhe shtetet evropiane, për shkak të sjelljeve tona të brendshme. Lufta kundër korrupsionit, ata thonë luftojeni korrupsionin se korrupsioni e shkatërron shtetin, nuk ka rezultate. Ka gjëra të tjera që perëndimorët, përkrahësit kryesorë kogja janë ftohë nga ne”, tha ai.

Ndërkaq, Vllasi ka përmendur edhe pasojat afatshkurta që Kosova po pëson nga procese politike dhe të tjera.

“Kemi shumë probleme prej pandemisë dhe pasojat e saj, e të tjera. E kemi një qeveri të brishtë që kërcënohet prej partnerit tjetër qeveritar, pasojat afatshkurta do ndihen në jetën e përditshme, para se gjithash në ekonomi. Dialogu me Serbinë nuk duhet të bëhet temë aq të madhe sa po e bëjmë, po e teprojmë me të”, ka thënë ai.

Sipas tij, shumë energji po shpenzohet me dialogun, një proces që ai thotë se nuk I dihet fundi.

“Po teprohet sepse shumë energji po harxhojmë në atë proces të cilit nuk i dihet fundit. Pozicioni i Kosovës dhe ajo që e thekson kryeministri Hoti, më ën fund është i mirë e pozicioni është s’ka kurrfarë marrëveshje finale nëse nuk rezulton me njohje reciproke, njohjen e Kosovës nga Serbia”, përfundon Vllasi.