SPORT

Turneu i tenisit në Francë shtyhet për një javë

Federata Franceze e Tenisit ka shtyrë nisjen e turneut French Open, që njihet edhe si Roland Garros, për një javë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ky institucion ka thënë më 8 prill se turneu, ngjarja e dytë Grand Slam e sezonës, do të nisë më 30 maj dhe do të përfundojë më 13 qershor.

“Kjo shtyrje do të lejojë më shumë kohë për përmirësim të situatës sanitare dhe duhet të rrisë mundësitë për mirëpritje të spektatorëve në Roland Garros”, ka thënë Gilles Moretton, president i Federatës Franceze të Tenisit.

Ky hap nënkupton se turneu me fushat argjilore, i cili është shtyrë për katër muaj vitin e kaluar dhe është zhvilluar me numër të kufizuar të tifozëve, do të realizojë finalen në kategorinë e meshkujve vetëm dy javë para nisjes së turneut tjetër madhështor të tenisit, Wimbledon.