KULTURË

ShKA “Bajram Curri” fitoi çmimin e parë në “Hasi Jehon 2020”

Festivali i cili ndër vite ka ruajtur dhe promovuar folklorin burimor shënoi edicionin e 31-të të organizimit, shkruan KultPlus.

I nisur në vitin e largët 1975, si festival i shoqërive kulturo artistike të rajonit të Hasit dhe i quajtur Dasma Hasjane, sot festivali “Hasi Jehon”, është shndërruar në dasmë gjithëshqiptare. Këtë e dëshmoi edhe njëherë organizimi në kushte të vështira pandemike, ku fshati Gjonaj mirëpriti 12 konkurrentë.

“Hasi Jehon 2020” kësaj radhe u organizua në mungesë të publikut, mirëpo me mesazhin e ruajtjes së vlerave dhe traditës shqiptare.

Ashtu siç e do natyra garuese e këtij Festivali, u ndanë edhe çmimet e edicionit të 31-të.

Me çmimin e parë “Malësori” u vlerësua Shtëpia Kulturo-Artistike “Bajram Curri” nga Prishtina.

Drejtori i Festivalit, Haziz Hodaj, ndau çmimin “Jehonë hasjane e kulturës” dhe disa mirënjohje, në 45 vjetorin e themelimit të Shtëpia Kulturo-Artistike “Malësori”, për disa personalitete që kanë dhënë kontribut të veçantë për “Malësorin”, dhe për festivalin “Hasi Jehon”.

Përderisa u përmbyll edicioni i 31-të, u kumtua që edicioni i radhës do t’i hapë dyert e Hasit për konkurrentët më 2, 3 dhe 4 maj të vitit të ardhshëm, sipas datave tradicionale të organizimit në kushte normale.