Kombëtare

Rëndësia historike e 28 Nëntorit

Shpallja e pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë, mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për t’u çliruar nga zgjedha osmane, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut, e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar.

Çështja shqiptare ishte duke u ballafaquar vështirësi të mëdha për shkak se ndodhej në rrethana kritike sidomos pas shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, më 16 tetor 1912. Kjo bëri që në shumicën e trevave shqiptare që gjendeshin të pushtuara nga ana mbretërive ballkanike të mobilizoheshin patriotët shqiptarë, duke nisur nga Kosova me Hasan Prishtinën, për të vazhduar edhe në trevat e tjera, duke përçuar mesazhin e shpalljes së Pavarësisë dhe të ngritjes së flamurit para ardhjes së pushtuesve të rinj serbo-malazezë dhe grekë.

Andaj, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, me synimin për të parandaluar dhe për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, por krahas përpjekjeve diplomatike duhej të bëhej edhe lufta e armatosur.

Me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të 1912-s ishin angazhuar shumë personalitete shqiptare të kohës, që vinin kryesisht nga Kosova, të prirë nga intelektualë dhe luftëtarë si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri e të tjerë, të cilët kishin një synim të përbashkët që të shpallej Shqipëria e pavarur në të gjitha trevat ku ka shqiptarë.

Përkitazi për këtë çështje, në ballë të Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 u vu Hasan Prishtina, që ishte një personalitet me reputacion në zhvillimet politiko-ushtarake që po përfshinin Kosovën dhe viset e tjera shqiptare. Vlen të theksohet se Kosova kishte një rol krucial në vazhdimin e rezistencës antiosmane për të përgatitur një terren më të përshtatshëm për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Gjithashtu, synohej ruajtja e tërësisë tokësore, duke mbledhur një Kuvend Kombëtar, ku do të vendosej për fatin e saj.

Agjenda diplomatike e Ismail Qemalit në vendet e Evropës

Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe ideologë të tjerë shqiptarë u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht më 5 nëntor 1912, tek organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare. Këtu u vendos të krijohej një komitet drejtues, e po ashtu edhe një komision që do të shkonte në kancelaritë evropiane për t’i mbrojtur përpara Fuqive të Mëdha të drejtat legjitime të kombit shqiptar.

Ndërkohë, Komiteti i Bukureshtit do të koordinonte veprimtaritë e komiteteve brenda e jashtë Shqipërisë. Por, në këtë mbledhje nuk u përcaktua me saktësi nëse synim i afërt do të ishte autonomia, apo pavarësia. Andaj, udhëtimi më i rëndësishëm ishte padyshim ai në Vjenë, ku u zhvillua takimi me Leopold von Bertholdin, ministër i Jashtëm i Perandorisë Austro-Hungareze, i cili kishte një përgjigje eksplicite për Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij lidhur me statusin e ardhshëm të Shqipërisë. Bertholdi thoshte se autonomia nuk ishte zgjidhje që e kërkonte koha, andaj duhej patjetër pavarësia, për shkak se Perandoria Osmane i kishte të numëruara ditët e saja në Ballkan.

Nga Vjena u mor vendimi definitiv se pavarësia ishte solucioni i vetëm në këto rrethana të reja të krijuara në Ballkan. Kjo bëri që kryediplomati austriak të aranzhojë udhëtimin e delegacionit shqiptar për në Durrës, nëpërmjet një vapori i cili do të ankorohej në brigjet e Adriatikut Lindor. Ndërkohë, Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte filluar në Shqipëri për mbledhjen e një kuvendi kombëtar.

osmane në Ballkan ishte shpartalluar pothuajse në të gjitha frontet dhe trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare. Në anën tjetër, Ismail Qemali, i shoqëruar nga patriotë të tjerë, arriti në Durrës më datë 21 nëntor për ta ngritur flamurin në këtë qytet. Por, për shkak të rrethanave të kohës dhe kundërshtimit të qarqeve të caktuara shoviniste, kjo përpjekje dështoi. Së bashku me delegatët e Durrësit, Shijakut, Tiranës e Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Vlorë. Në Fier u bashkuan me një pjesë të delegatëve nga Kosova dhe më 25 nëntor arritën në vendlindjen e Ismail Qemalit. Kjo u diktua edhe nga keqësimi i rrethanave, për shkak të përparimit të ushtrisë serbe në territorin shqiptar. Ndërkohë, flamuri kombëtar ishte ngritur në Elbasan, Durrës, Tiranë, Kavajë, Peqin dhe Lushnje e të tjera. Pas shumë sakrificave dhe pritjeve të gjata, erdhi edhe momenti i shumëpritur i thirrjes së Kuvendit Kombëtar, i cili hapi punimet e tij në orën 14:00 të datës 28 nëntor 1912, kur pothuajse në portat e qytetit kishin arritur forcat pushtuese greke.

Për këtë çështje ishte vendosur që kjo ngjarje madhore të përkonte më datën e njëjtë të vitit të largët 1443, kur heroi i Arbërisë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ngriti në Krujë flamurin e kuqezi, i cili u bë simbol unifikues i të gjithë shqiptarëve. Në përbërje të Kuvendit Kombëtar ishin 37 delegatë, të cilët u shtuan më pas deri në 63 veta dhe përfaqësonin të gjitha viset shqiptare, duke qenë në një masë të madhe udhëheqës dhe aktivistë të lëvizjes atdhetare. Mes tyre ndodheshin: Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Murat Toptani, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Patër Anton Harapi, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Dhimitër Zografi, dom Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif Dibra, Dhimitër Mborja, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci e të tjerë. Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin. Në fjalën e tij, patrioti i madh nënvizoi se në kushtet e krijuara, e vetmja rrugë për shpëtimin e atdheut ishte pavarësimi i Shqipërisë nga Turqia. Ky propozim u miratua njëzëri nga delegatët që nënshkruan edhe dokumentin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë dokument, mes të tjerash, thuhet se “…Shqipëria me sot, të bëhet më vehte, e lirë, e mosvarme”. Për ta sjellë në Vlorë flamurin kombëtar nga Bukureshti u përkujdes atdhetari Spiridon Ilo, kurse pjesët dekorative me ngjyrë të verdhë për ceremoni i kishte qëndisur veprimtarja Marigo Pozio, apo Marigona. Në këtë kuvend u krijua edhe Qeveria e Përkohshme, si dhe u emërua Pleqësia, ose Senati. Këto propozime u miratuan njëzëri nga Kuvendi Kombëtar. Menjëherë pas kësaj u shpall Qeveria e Përkohshme, si dhe u zgjodhën anëtarët e Senatit, i përbërë nga 18 anëtarë, me kryetar Myfti Vehbi Dibrën. Në përbërjen e Qeverisë dhe të Senatit u zgjodhën njerëz me kontribut të spikatur atdhetar dhe përfaqësues të të gjitha trevave e të tri besimeve fetare. Qeveria e Përkohshme e Vlorës u vendos në ndërtesën ku tanimë është Muzeu Kombëtar i Pavarësisë.

Në përbërjen e Qeverisë së Përkohshme ishin: Ismail Qemali, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme; dom Nikollë Kaçorri nënkryetar i Qeverisë; Petro Poga, ministër i Drejtësisë; Myfid Libohova, ministër i Brendshëm; Abdi Toptani, ministër i Financave; Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit; Mithat Frashëri, ministër i Punëve Botore; Lef Nosi, ministër i Postë Telegrafëve.

Isa Boletini, mbërriti në Vlorë një ditë pas aktit të shpalljes së pavarësisë, në krye të 400 luftëtarëve të gatshëm ta mbronin Qeverinë dhe tërësinë territoriale, duke u bërë bërthama e ushtrisë së parë shqiptare.

Fati i trishtë i dokumentit të Pavarësisë gjatë diktaturës komuniste

Dokumenti origjinal i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë u ruajt gjatë nga Lef Nosi, mirëpo pas vitit 1944 në Shqipëri erdhën në pushtet komunistët, të cilët pas shumë fatkeqësive që ia sollën vendit nuk lanë mënjanë as ndërhyrjet në historinë e Shqipërisë. Me përpjekjet në 45 vjet të qeverisjes me grusht të hekurt të diktatorit shqiptar Enver Hoxha, i cili me çdo kusht dhe mjet donte t’i imponohej historisë, duke bërë që rivalitetin politik të kohës ta luftonte skajshmërisht, me këtë rast preku edhe dokumentin e Pavarësisë, kur u mbuluan dy firmat e politikanëve shqiptarë si Mustafa Kruja dhe Mithat Frashëri, të cilët u etiketuan si rivalët politikë të regjimit monist dhe ndaj tyre nuk munguan ndëshkimet e rënda. Akt tjetër që preku rëndë historinë e shtetit shqiptar ishte edhe ndërtesa ku u ngrit flamuri.

Faksimile e kopjes së aktit të Pavarësisë së Shqipërisë realizuar nga Lef Nosi

Ngritja e flamurit u bë në Sarajet e Vlorajve, përkatësisht në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, po edhe kjo ndërtesë me vlera historike u shemb në kohën e diktaturës, duke zhdukur edhe më shumë historinë e themelimit të shtetit shqiptar. Mirëpo, manipulimet ndaj ngjarjes më të madhe në historinë kombëtare nuk përfunduan me kaq. Vazhduan me ndryshimet e biografisë së vetë themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Atij iu ndryshua data e lindjes, po ashtu edhe viti i lindjes, me të vetmin qëllim që të zbehej roli i Ismail Bej Vlorës në vënien e gurthemelit të shtetit shqiptar. Andaj, ne sot mësojmë në libra që Ismail Qemali lindi më 24 janar 1844, kurse nëse u referohemi të dhënave që vijnë nga arkivat e periudhës osmane në të cilat mbështet historiani turk me prejardhje nga Gjirokastra, Nexhip Alpan, shohim se Ismajl Bej Vlora u lind më 16 tetor 1846. Ky shtrembërim i historisë nga ana e Enver Hoxhës u bë për ta marrë si ditëlindje të veten datën e lartcekur. Po ashtu, vlen të theksohet se në asnjë përvjetor nuk u përkujtua datëlindja e Ismail bej Vlorës.

Akt me rëndësi jetike

Shpallja e pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë, mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për t’u çliruar nga zgjedha osmane, për ta ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për ta formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar.

Pavarësia Shqipërisë shënonte fundin e pushtimit osman dhe njëkohësisht ajo erdhi në një moment shumë të vështirë, kur vendi ishte pothuajse i pushtuar nga ana e Mbretërive ballkanike. Kështu që, lindja e çështjes shqiptare pati një rëndësi të veçantë për rrethanat e krijuara në Ballkan, për shkak se tanimë çështja shqiptare kishte filluar të merrte konotacionet e saj shtetformuese që do të çonin në lindjen e Shqipërisë në rrethana të vështira në Ballkan, sidomos rrjedha e Luftës së Parë Ballkanike që la shumë pasoja të rënda.

Andaj, rëndësia është mjaft e madhe kur kemi parasysh se ndodhi në rrethana shumë të vështira, duke u përballur me situata shumë komplekse dhe arriti t’i mbijetojë Luftës së Parë Ballkanike, por edhe vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, e cila shpalljen e Pavarësisë s’e njohu në të gjitha trojet shqiptare, por në gjysmën e saj, do të thotë vetëm Shqipërinë administrative, duke bërë një nga padrejtësitë shekullore ndaj kombit shqiptar, duke bërë që Shqipëria të ndahej midis tri shteteve fqinje dhe duke humbur gjysmën e trojeve shqiptare. Kjo do të bënte që Shqipëria të bëhej një nga vendet e rralla në botë që kufizohej në të gjitha anët me shqiptarë.