Kombëtare

Rama gati listën me drejtorët që duhen shkarkuar brenda muajit, ministrat, bashkitë dhe baza udhëzohen për reprezalje, ja detajet

Kryeministri Edi Rama ka gati listën e drejtorëve që duhen shkarkuar brenda muajit. Pak ditë më parë kryeministri Rama paralajmëroi se do të shkarkohen të gjithë drejtorët që nuk kanë përmbushur objektivat për të hapur vende të reja pune dhe rritur cilësinë e shërbimit për qytetarët. Por shumica e drejtorëve nuk e kanë vënë ujin në zjarr, duke bërë që të derdhet kupa. Gazeta ka mësuar se shefi i ekzekutivit, iu ka dërguar porosi ministrive dhe bashkive që të nisin reprezaljen në administratë.

Baza udhëzohet për reprezalje

Sipas informacioneve, mësohet se Rama u ka kërkuar drejtuesve të qarqeve që të evidentojnë punën e çdo drejtori dhe kreu të institucionit në lidhje me shërbimet që ai jep për qytetarët dhe ka bërë të qartë se ata që kanë mangësi dhe performancë të ulët duhet të shkarkohen brenda muajit. Po ashtu, mësohet se i pari i qeverisë u ka thënë ministrave që duhet bërë një rishikim i çdo drejtuesi të institucioneve publike që varen nga ministritë që kanë dështuar në punën e tyre dhe se nuk do lejohet arroganca e këtyre personave në krye të institucioneve. Në këtë pikë, mësohet se një pjesë e drejtorëve që varen nga ministritë janë larguar, ndërsa pritet të ketë edhe largime të tjera. Po ashtu, pritet të ketë një reformim të thellë në drejtoritë që janë më të prekshmet dhe vizituarat nga qytetarët, sikundër është Kadastra, drejtorë të së cilës priten të bëhen kurban, për shkak se Rama ka premtuar që kush nuk kap ritmin do të hapë krahun. Kadastra merret me legalizimet dhe shumë qytetarë janë të shqetësuar pasi nuk kanë mbaruar punë, për të marrë dokumentacionin. Kështu që, për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve, por edhe në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, kryeministri Rama ka vendosur që të bëjë reprezalje në nivel drejtorësh.

Shkarkimet e para

Sinjali më i freskët ka ardhur dje, ku mësohet se është rikthyer në postin e Drejtorit të Kadastrës së Shkodrës, Genc Berhani, i cili u largua nga ky post para dy vitesh kur ALUIZNI u shkri me Hipotekën. Zoti Genc Berhani ka zëvendësuar në postin e drejtorit Ilir Dibrën, i cili nuk bëri një vit në krye të këtij institucioni pasi detyrën e mori në shkurt 2020. Pra, ky paralajmërim i kryeministrit Edi Rama duket se do të sjellë një furtunë në administratë, ku viktimat e para pritet të jenë drejtorët “parazitë”, siç i etiketon shpesh shefi i qeverisë ata që nuk punojnë apo sillen keq me qytetarët. Por përveç shkarkimit të drejtorëve parazitë dhe arrogantë, mësohet se kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga ministrat dhe krerët e bashkive që të shkarkohen të gjithë militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim që janë ende në administratë dhe që janë punësuar jashtë profilit të tyre, duke mos respektuar si meritën ashtu edhe arsimin. Kujtojmë që kryeministri Edi Rama është treguar i ashpër pak ditë më parë me drejtuesit e qarqeve, duke paralajmëruar valë shkarkimesh në radhët e drejtorëve. “Largimi apo qëndrimi i drejtorëve në detyrë do të jetë në bazë të performancës. Kod i kuq për ata që nuk u përgjigjen qytetarëve”, mësohet të ketë thënë Rama.