Kosova

Qeveria merr vendim për kompensimin e të drejtave audio-vizuale

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së hënës, ka marrë vendim për kompensimin e të drejtave autoriale nga ofruesit shërbimeve kabllovike.

Qeveria, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka aprovuar Tarifave të Përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit, por nuk janë dhënë më shumë detaje, se si do të bëhet kompensimi

“Tarifat bazohen sipas grupimit të kanaleve televizive: Deri në 70 kanale televizive – 0.30 euro për abonues; nga 71 deri në 100 kanale televizive – 0.35 euro për abonues; nga 101 deri në 150 kanale televizive – 0.40 euro për abonues; dhe mbi 151 kanale televizive – 0.45 euro për abonues. Vendimi siguron zbatimin e Ligjit për të drejtën e autorit dhe obligon të gjithë operatorët kabllorë dhe subjektet tjera që bëjnë ritransmetim të kanaleve televizive t’i përmbahen këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Qeveria ka ftuar operatorët kabllorë t’i përmbahen këtij vendimi.

Ndërkohë, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, këtë e ka quajtur vendim historik. Ajo ka sqaruar se bëhet fjalë për të drejtat audio-vizuale.

“Vendim historik për një të ardhme më të mirë për autorët e krijuesit e vendit tone. Sot Qeveria Hoti ka marrë vendim për miratimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur dhe të drejtën e autorit me rastin e ritransmetimit, përmes të cilit vendoset kompensimi i drejtë dhe adekuat për autorët, krijuesit e investitorët e veprave audio-vizuale. Me këtë vendim, krijohet një sistem funksional i drejtës së autorit që u mundëson bartësve të drejtave kompensimin të drejtë për veprat e tyre, si dhe përmbushet obligimi për zbatimin e të drejtave pronësore intelektuale që dalin nga neni 77 dhe 78 i MSA-së”, ka shkruar Dumoshi në Facebook.