EKONOMI

Kllokoqi: Politika po shkakton dëm, ne po e paguajmë faturën

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka thënë se nuk e përjashtojnë mundësinë që të dalin në protestë nëse nuk arrijnë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Kllokoqi përmes një postimi në Facebook, u shpreh se dëmet gjatë pandemisë po i shkakton politika ndërkaq faturën po e paguan gastronomia.

Ai u shpreh se gjatë 11 ditëve sa do të qëndrojnë të mbyllur do të kërkojnë subvencion të pagave, qirave dhe grante për biznese, e nëse kjo nuk ndodh, nuk e përjashtojnë mundësinë e daljes në rrugë.

“Edhe një herë: Politika shkakton dëm, Gastronomia paguan faturën. Edhe njëherë Gastronomia Kurban i situatës! Edhe njëherë po ndëshkohemi, 11 ditë. Pas 11 ditë ne do te hapemi. Me ose pa leje të qeverisë ne do të hapemi. Për këto 11 ditë do të kërkojmë subvencionime të pagave, të qirave dhe grante për biznese, do të kërkojmë strategji për të ardhmen tonë. Më mire është të funksionoj Gastronomia e të qarkulloj paraja, e me këto para të investohet në shëndetësi, të sigurohen shtretër e hapësira të mjaftueshme për të gjithë të prekurit me COVID si rezultat i fushatave parazgjedhore, e të sigurohen vaksina, se të sanksionohen bizneset”, thuhet në reagimin e Kllokoqit.

“Ne, për këto 11 ditë mbyllje do të vazhdojmë bisedimet me Qeverinë e Kosovës me shpresë që të arrijmë një marrëveshje, mirëpo nëse nuk arrijmë një marrëveshje pas 11 dite nuk përjashtojmë daljen ne rruge. Nuk na mbetet tjetër! Masat që do të vendosen duhet të jenë lehtësuese për gastronomët dhe jo ndëshkuese”, thekson Kllokoqi.

Edhe një herë: Politika shkakton DËM, Gastronomia paguan FATURËN! Edhe njëherë Gastronomia Kurban i situates!Edhe…

Posted by Petrit Kllokoqi on E hënë, 5 April 2021