SPORT

Pioli para ndeshjes me Cagliarin: Ia dalim edhe me mungesa

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli duket se po mësohet me telashet që i shkaktojnë mungesat para çdo ndeshjeje dhe këtë e pranoi edhe në konferencën e sotme për shtyp, në prag të transfertës ndaj Cagliarit nesër në mbrëmje.

Këtë herë listës së gjatë të mungesave te kuqezinjtë, i janë shtuar edhe ato të Theo Hernandez dhe Hakan Calhanoglu, të cilët rezultuan pozitivë ndaj koronavirusit.

Megjithatë, Pioli shpreh besim se skuadra do t’ia dalë të bëj mirë.

“Është e vërtetë që na mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm të skuadrës, por forca jonë është grupi dhe jam i bindur se kushdo që të zbresë në fushë, do të luajë shumë mirë. Kemi punuar me durim gjatë gjithë kësaj kohe dhe duam të vazhdojmë të bëjmë mirë”, u shpreh Pioli.

Momentalisht, Milani prin në Serie A me 40 pikë, tri më shumë se Interi që gjendet në vendin e dytë.